Lideri i Partisë Socialiste serbe, Ivica Daçiç u betua si kryeministër i Serbisë, dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Qeveria e tij është formuar përmes një koalicioni me Partinë Progresiste të presidentit Tomisllav Nikoliç dhe grupe të tjera politike.

Gjatë luftrave të viteve ’90 në Jugosllavi, Daçiç ishte zëdhënës i presidentit të atëhershëm jugosllav Sllobodan Millosheviç, i njohur më mirë si “Kasapi i Ballkanit”.

Ky funksion bëri që atij t’i ngjitej pseudonimi “Slloboja i Vogël”, edhe pse ai nuk është i vetmi politikan socialist që është etiketuar me një nofkë të tillë.

Në komente të bëra mbi historinë e tij me Millosheviçin, Daçiç ka thënë në vitin 2009 se: “E kaluara nuk më intereson, sepse unë nuk mund ta ndryshoj atë, por ne mund të bëjmë diçka për të ndryshuar të ardhmen e vendit”.

Prirjet nacionaliste të zotit Daçiç, që ka lindur në Kosovë, kanë gjeneruar spekullime mbi politikën e qeverisë së re kundrejt çështjes së shpërbërjes së territorit, që mund të ketë ndikime për të ardhmen evropiane të vendit.

Megjithatë, revista serbe “Vreme” shkruante së fundmi se parimet fondamentaliste të kreut të Partisë Socialiste janë errësuar nga kompleksiteti i marrëveshjes së nënshkruar me partnerët e koalicionit.

Gjatë qeverisjes së kaluar, Serbia fitoi statusin e kandidatit për në BE dhe zoti Daçiç ka shprehur vendosmërinë e tij për të arritur në fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në Union, i cili nga ana e tij përshëndeti formimin e qeverisë.

Gjithësesi, Kosova mund të jetë një provë problematike. Ndërkohë që BE ka thënë se njohja e saj nuk do të jetë kusht për anëtarësimin e Serbisë, deklarata bie ndesh me politikën që përkrah Daçiç, atë të ndarjes së shtetit të ri në entitete të ndryshme serbe dhe shqiptare.

Daçiç ka thënë së fundmi se, edhe pse Serbia nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, ajo do të bashkëpunojë me të gjitha vendet e botës, se do të jetë avokate e sigurisë, stabilitetit, e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe se do të shtrijë dorën e miqësisë.

Kjo deklaratë bie ndesh me një tjetër që ai ka bërë në vitin 2006, kur u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste dhe tha se, nuk e kishte problem të merrte armët për të luftuar për Kosovën, si diçka që e kishte bërë edhe në të kaluarën.

Top Channel