Aksioni i 25 korrikut të vitit të kaluar për të marrë nën kontroll portat kufitare 1 dhe 31, ka hequr nga tryeza e spekulimeve ndarjen eventuale të Kosovës.
 

Kështu është shprehur Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili me bashkëpunëtorë ka vizituar familjen e heroit të Kosovës, Enver Zymeri, i rënë në krye të detyrës, gjatë aksionit, më 26 korrik në veri të Kosovës.
 
“Edhe një herë e përsëris se aksioni i 25 korrikut ka qenë aksioni më i madh në kohën e pasluftës, i cili definitivisht ka hequr nga tryeza e spekulimeve ndarjen eventuale të Kosovës. Aty janë institucionet e Kosovës 24 orë”, tha Bajram Rexhepi, Ministër i Brendshëm i Kosovës.

Një vit që nga vrasja e policit të Njësisë Speciale, ende dorasit nuk janë kapur, dhe veriu mbetet i barrikaduar ku mungon lëvizja e lirë.
 
Ministri Rexhepi ka thënë se ashtu siç familjarët kanë shprehur paknaqësinë e tyre, as ai nuk është i kënaqur pasi vrasësit ende nuk janë zënë, ndërsa ka kujtuar se janë ngritur aktakuzat dhe fletarresti ndërkombëtar dhe herëdokur do të arrestohen dhe do të dalin para drejtësisë.
 
Në një vjetorin e rënies së policit të njësisë speciale, familja Zymeri nga fshati Dubovc i komunës së Vushtrrisë, ka pritur shumë mysafirë të cilët nderuan veprën e djalit të tyre.
 
“Jemi të kënaqur dhe krenarë, pasi që të gjithë e dimë se për çka ka vdekur. Ai është shkuar për dheun e Kosovë, për shqiptarinë. Jemi të kënaqur edhe me institucionet, duhet të pranojmë realitetin. Premtime na kanë dhënë, tashmë po presim”, tha  Muharrem Zymeri, babai i Heroit, Enver Zymeri.
 
Po ashtu, edhe një akademi përkujtimore është mbajtur nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.  
 
“Ideali dhe figura e Enver Zymerit, Hero i Kosovës, kurrë nuk do të vdesin sepse ai la pas vete mbi 7 mijë vëllezër dhe motra pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët vazhdojnë rrugëtimin drejt realizimit të idealeve dhe amanetit të tij”, deklaroi Shpend Maxhuni, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
 
Po gjatë së enjtes, ministri Rexhepi së bashku me familjarë të policit dhe djalin e Enver Zymerit, dhjetëvjeçarin, Sokol, ka vënë gurthemelin e lapidarit në oborrin e Administratës së Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë për heroin Enver Zymeri.
 

Top Channel