Detaje të reja rreth jetës së Zonjës së Parë të Koresë së Veriut dolën në dritë në mediat ndërkombëtare gjatë ditës së enjte.
Gruaja e Kim Jong-un, duke iu referuar një burimi të inteligjencës perëndimore, quhet Ri Sol-ju. Ajo ka vizituar Korenë e Jugut në vitin 2005 dhe ka studiuar për kanto në Kinë.
Sipas raportimeve të pakonfirmuara, Jong-un zgjodhi bashkëshorten e tij pikërisht pasi mbeti i mrekulluar nga zëri dhe hiret e saj gjatë një koncerti.
Korea e Veriut nuk ka dhënë asnjë detaj të mëtejshëm përveç faktit që Sol-ju është tashmë gruaja e “liderit të dashur”, por besohet se ajo vjen nga një familje e thjeshtë komuniste, besnike prej disa brezash ndaj regjimit.
Një fakt i tillë është i kuptueshëm, duke pasur parasysh që regjimi i vendit më të izoluar në botë zbaton një luftë të ashpër klasash, me çdo pozicion apo detyrë që jepet në bazë të biografisë familjare, në të cilën përfshihen tre breza familjarë.
Për vetë ideologjinë që mbizotëron në vend, duket e pamundur që Jong-un të kishte zgjedhur për partnere një vajzë të një familje të deklasuar, edhe sepse në Penian lejohet të jetojnë vetëm familjet më “patriote” dhe besnike ndaj regjimit.
Besohet se Ri ka pasur mundësinë e rrallë të vizitimit të Koresë së Jugut në vitin 2005, si pjesë e një skuadre kërcimtaresh, që përfaqësonte Korenë e Veriut në një kampionat mbarëaziatik.
Besohet se ajo ka qenë edhe pjesë e disa programeve të shkëmbit të studentëve midis Koreve, ndërsa një gazetë koreanojugore publikoi të enjten një artikull, në të cilën shkruhej se në vitet 2003-05, tre shtetase koreanoveriore të quajtura Ri kanë vizituar vendin në kuadër të aktiviteteve artistike.
Ajo që mbetet pa zbuluar ende është se si ka nisur realisht historia e dashurisë midis vajzës së një familje të thjeshtë komuniste, me diktatorin më të frikshëm të botës dhe kur është bërë edhe dasma e tyre.
Kim Jong-un u shndërrua në udhëheqësin absolut të Koresë së Veriut pas vdekjes së babait, Kim Jong-il, në dhjetor 2011.
Shpresat për një hapje të vendit më të izoluar në botë pas vdekjes së diktatorit Jong-il u venitën shpejt, ndërsa i biri tregoi se ishte i vendosur që të ndiqte rrugën e vendosur të babait dhe gjyshit Il-sung, në formimin e një “shoqërie të begatë e të plotë komuniste”.
Së fundmi, ai udhëhoqi disa sprastrime në ushtri, për të forcuar pozitat e tij brenda aparatit më të fuqishëm në jetën koreanoveriore dhe u emërua më parë gjatë korrikut me gradën më të lartë ushtarake në vend, atë të Marshallit.
Në moshën 28-vjeçare, Kim Jong-un është lideri më i ri i një shteti në të gjithë botën.
Top Channel