Projekti Basha, një thes bosh

26/07/2012 00:00

Skënder MINXHOZI – U mbush edhe viti i parë i Lulzim Bashës në krye të
Bashkisë së Tiranës. Për të gjithë ata që, qysh atëherë, ishin skeptikë
për performancën e tij në atë post (që i bie të jenë pak a shumë gjysma e
tiranasve, plus dhjetë votues), kjo nuk është ndonjë ditë e veçantë.

Është në fakt e tillë ndoshta për shumë nga ata që më 11 maj bënin pjesë në gjysmën tjetër të qytetit, e që shihnin jo pa të drejtë tek Lulzim Basha, me njëfarë idealizmi romantik, një mundësi për të ndërruar qeverisjen lokale të Tiranës, pas një mandati të fundit të mërzitshëm të Edi Ramës.

E pra, ky takim me historinë e tij të re si administrator të kryeqytetit, e gjen zotin Basha me një thes premtimesh, brenda të cilit tashmë s’ka mbetur ndonjë gjë e madhe për t’u mburrur. Duhet të ishin aty brenda hipotekat, rrugët e reja, uljet e çmimeve, gjelbërimi i shtuar, punësimi, reduktimi i taksave dhe një kantier në punë e sipër, i tramvajit të premtuar një vit më parë. Bilanci, në fakt, është shumë më modest sesa kjo listë gjithsesi e paplotë premtimesh, të cilat, e kujtojmë të gjithë, vetë Basha i ka valëvitur në çdo lagje, rrugicë e mëhallë të Tiranës, një vit më parë. Reagimi nervoz, së fundmi, i shoqërisë civile dhe një pjese të mirë të opinionit publik, për prerjet e pemëve në Parkun e Liqenit, lidhej veç të tjerave, edhe me pezmin që krijon kontrasti mes fjalëve të bukura të djeshme, e veprave të shëmtuara të sotme, në qytetin më të madh të këtij vendi.

Teksa risheh edhe një herë sot premtimet e para një viti, të atij që do të zgjidhej kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, teksa dëgjon se me sa gjakftohtësi dhe pa hezitim, ai ngopte me lugë bosh asokohe, cilindo që i dilte para në ecejaket e tij të blinduara nëpër rrugët e kryeqytetit, s’mund të mos dëshpërohesh thellë. Është një dëshpërim që lidhet jo edhe aq me një listë të gjatë premtimesh të pambajtura, jo edhe aq me rrugët, gjelbërimin, hipotekat apo tramvajet e munguara, por me tipin e ri të politikanit që po i afrohet gradualisht timonit të këtij vendi, pasi atë ta kenë lëshuar më në fund bajlozët e fillimviteve ’90. I kemi parë këta “tigra” të rinj politikë që nisën të ulen në poltronat periferikë të politikës, rreth një dekade më parë. Djathtas dhe majtas, pikërisht në atë moment kur niveli i konsumit i brezit të vjetër dhe nevoja për makijazh, e fytyrave të vjetra të politikës shqiptare, u bë urgjente. U kultivua me kujdes në laboratorët politikë të dy partive të mëdha, që asokohe deri në ditët tona, një “varietet” politikani i ri, i cili pikë për pikë si më të vjetrit, është në gjendje të të gënjejë duke të parë në sy dhe pa i lëvizur asnjë nerv i fytyrës.

Lulzim Basha është sot shembulli më befasues sesi një brez i ri politikanësh, i sponsorizuar nga krerët e moçëm të politikës gjatë viteve 2000, mësuan me shpejtësi rrufeje nga mentorët e tyre politikë, të gjitha hilet, truket dhe falsitetet e “zanatit”, duke u rreshtuar krah tyre me të njëjtën kulturë të deformuar politike, e cila në krye të listës vendos rregullisht marrjen dhe mbajtjen e pushtetit me çdo kusht, formë dhe dredhi.

Ky brez rishtarësh, të cilët u lançuan fort sidomos në kapërcyellin e stafetës mes Nanos e Berishës në vitin 2005, në kuadrin e KOP-it, janë sot po aq agresivë, po aq cinikë, po aq të pangopur sa edhe etërit e tyre politikë. Kjo racë rioshësh përbën sot jo një prurje civilizuese e moderuese në jetën tonë politike, por një repart të vërtetë sulmi, i cili ka merakun e vetëm, që të kopjojë e amplifikojë agresivitetin e kastës së vjetër politike.

Karriera e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, më e dallueshmja në mesin e këtij brezi, është sot fatkeqësisht paradigma më domethënëse e deformimit që pëson cilido që pretendon të bëjë përpara në mejdanin e politikës shqiptare, të dominuar nga kultura e urrejtjes dhe e dhunës.

Kush thoshte dje se Edi Rama është një kryetar bashkie gjysmak, për shkak të postit partiak që mbante mbi shpinë, s’mund të mos pranojë sot, për hir të korrektesës, se edhe për Lulzim Bashën vlen pak a shumë e njëjta rrethanë. Përkushtimi i tij i nënujshëm në lojën bizantine brenda PD, vijimi i luftës së heshtur, por të egër, me Jozefina Topallin, si dhe zelli për të bërë e zhbërë aleanca sipas momentit dhe zhvillimeve konkrete, të gjitha këto pra, e bëjnë kryetarin e Bashkisë së Tiranës pothuajse po aq të “ndarë” në dysh mes politikës së lartë e administrimit lokal, sa edhe paraardhësin e tij. Lulzim Basha po përpiqet të ndërtojë të nesërmen e tij në PD, duke harruar të sotmen e tij në bashkinë e kryeqytetit. Edhe për këtë arsye, një vit pas spostimit me faull të Edi Ramës në zgjedhjet e majit 2011, ai e sheh veten të shtrënguar të përballet me murin prej çimentoje të premtimeve të tij të pambajtura.

Bilanci i qeverisjes së Tiranës, në vitin e parë të administratës Basha, është i palavdishëm. Hidhini një sy sheshit “Skënderbej”, “ngërdheshjes” në qendër të Tiranës, siç do ta quante një diplomat i huaj, për të kuptuar sesa bosh ka qenë ky vit i parë qeverisjeje në kryeqytet. Tashmë skeptikët e kryetarit të bashkisë shtrihen jo vetëm brenda perimetrit të opozitës apo medias kritike, por edhe tek ata shqiptarë e të huaj që si sot një vit, besonin se Tirana po ndryshonte faqe për mirë. Lulzim Basha kryetar bashkie, është një projekt që nuk intrigon më njeri.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA