Mëngjesi i së enjtes risolli në tokën e Kosovës trupin e pajetë të poetit Ali Podrimja. Trupi i poetit i veshur me flamurin kombëtar, ishte vendosur në ambientet e Akademise se Arteve të Kosovës ku u nderua vepra dhe personaliteti i poetit të mirënjohur.

Heshtja mortore thyhej nga vargjet e poetit kushtuar jetës, vdekjes, ngadhënjimit e lirisë, gjeografisë së atdheut nga Mitrovica deri në Çameri, Ulqini e Presheva e më gjërë.
 
Në nderim dhe përkulje para arkivolit me trupin e pajetë të poetit Podrimja,  familjar, miq dhe zyrtarë të lartë vendit dhe jo vetëm,  bënë homazhe për poetin.
 
Kortezhi me trupin e pajetë të poetit rreth orës 15:00 arriti në varrezat e kryeqytetit, ku do të pushojë përgjithmonë. Trupit të tij iu dha lamtumira e fundit por, jo veprave të tij.  Ashtu sic ishte dëshira e poetit të ndjerë lamtumira për në amshim iu dha nën tingujt e orkestrës. Pika e fundit e funeralit të Ali Podrimjes ishte interpretimi i këngës “Lamtumirë” nga Kori i Burrave të Gjakovës.
 
Podrimja kishte udhëtuar për në Francë më 16 korrik për të marrë pjesë në edicionin e 15-të të festivalit të poezisë “Zërat e Mesdheut”. Dhe nga data 17 korrik konsiderohej i zhdukur.

Trupi i pajetë i Ali Podrimjes u gjet të shtunën e 21 korrikut, në një pyll afër qytetit Lodeve të Francës, prej ku kishte humbur kontaktet. Ditë më vonë autoritetet franceze konfirmuan se poeti Podrimja vdiq natyrshëm.

Top Channel