Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso mbërrin të enjten në Athinë për të verifikuar nëse Greqia ka bërë aq sa duhet për të marrë këstin e radhës së ndihmës financiare.

Kjo është vizita e tij e parë në tre vjet dhe Barroso pritet të thotë se Bashkimi Evropian dëshiron që Greqia të mbetet pjesë e eurozonës. Por prapa skenave do të ketë bisedime të ashpra, thonë analistët.

Huadhënësit ndërkombëtarë të Greqisë ndodhen gjithashtu në Athinë në përpjekje për të “futur në binarë” masat për shkurtimin e defiçitit buxhetor.

Pas muajsh të tërë ngërçi politik dhe dy zgjedhje të përgjithshme të mbajtura më herët gjatë vitit, Greqia po lufton për të arritur objektivat ekonomikë që ka pranuar në këmbim të ndihmave financiare.

Inspektorë nga Bashkimi Evropian dhe FMN po përpiqen të zbulojnë nëse Greqia ka bërë aq sa duhet për të marrë këstin e radhës.

Komisioni Evropian thotë se nevojat financiare të vendit do të shqyrtohen në muajin gusht, ndërsa një vendim për hua të mëtejshme do të merret në fillim të shtatorit.

Nëse nuk do të ketë progres të mjaftueshëm, shteti helen mund të mos marrë pjesën e fundit të ndihmës financiare me vlerë 31.5 miliardë dollarë.

Më herët gjatë javës kryeministri Andonis Samaras deklaroi se Greqia do të kalojë një reçesion shumë më të thellë nga sa mendohej këtë vit.

Ai pret që ekonomia e vendit të tkurret me 7 për qind, më shumë se parashikimi prej 5 për qind të bërë më herët nga ekspertët e ekonomisë.

Top Channel