Erdogan: Populli sirian, pranë fitores

26/07/2012 00:00

Bashar al-Assad dhe njerëzit e tij janë shumë pranë largimit nga Siria, ku po bëhen përgatitjet për një epokë të re. Pak përpara nisjes për në Londër, kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan tha se populli sirian është në prag të fitores dhe paralajmëroi për reagimin të ashpër të Turqisë ndaj cdo sinjali armiqësie që mund të mbërrijë nga Damasku.

Mesazhi i tij linte të kuptohej se Ankaraja e kapërceu, por e nuk e harroi incidentin e avionit turk të rrëzuar në 22 qershor nga forcat ajrore siriane.

“Nëse regjimi sirian nuk nxjerr mësime nga zhvillimet e deritanishme, e vazhdon me sjelljet e tij armiqësore, Turqia nuk do të ngurrojë t’i përgjigjet ashtu sic e meriton”, tha kryeministri turk.

Kreu i ekzekutivit turk shtoi gjithashtu se Ankaraja mund të ndërhyrje kundër PKK-së në Sirinë veriore, nëse e konsideron një rrezik për të, duke iu referuar kështu militantëve kurdë.

Nuk do të lejojmë, tha Erdogan, që grupi terrorist të krijojë bazat e tij në veri të vendit nga ku të kërcënoje lehtësisht Turqinë. Nëse do të duhet të ndërmarrim veprime kundër tij, të jeni të sigurtë se do ta bëjmë, paralajmëroi ai.

Në Siri ndërkohë, tensionet mbeten të larta. Pas bombardimeve intensive në periferitë e Damaskut, ofensiva përfundimtare duket se është zhvendosur në Alepo. Trupat e Asadit janë grumbulluar në hyrje të qytetit e po përgatisin mësymjen kundër rebeleve.

Sipas Shteteve të Bashkuara, sulmi ndaj civilëve të paarmatosur ka nisur tashmë. Për vëzhguesit është e qartë se regjimi po ndryshon strategji e po përgatitet të përgjigjet dhunshëm. Autokolona trupash e tankesh mësohet se po lëvizin drejt Alepos edhe nga qyteti i Hamas e nga provinca e Idlibit.

Alepo konsiderohet si kryeqendra tregtare e vendit dhe e një rëndësie kyce për kontrollin e rajoneve veriore. Në qytet po luftohet rrugë më rrugë, e rebelët janë duke u përpjekur të ruajnë kontrollin e lagjeve të marra gjatë mësymjes së fundjavës.

Mijëra refugjatë sirianë po kërkojnë strehim në Turqi, Liban, Jordani e Irak, edhe pse kushtet në anën tjetër të kufirit janë edhe ato mjaft të vështira, të shpërngulurve u duhet të mbështeten tek ndihmat e agjencive të ndryshme për të mbijetuar.

Top Channel