Presidenti serb Tomisllav Nikoliç nuk do të takohet me presidenten
kosovare Atifete Jahjaga pa u arritur më parë një konsensus për çështjen
e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur kabineti i presidentit serb, i cili ka hedhur poshtë aludimet se takimi mund të mbahej në shtator në Nju Jork, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Presidenti Nikoliç nuk do të takohet me presidenten Jahjaga pa u arritur më parë një konsensus politik për Kosovën”, ka deklaruar kabineti presidencial i Beogradit.

Njoftimi në fjalë, i cituar nga agjencia “Tanjug”, ka përgënjeshtruar kështu deklaratat e bëra më parë nga Nikoliç, i cili shprehej i gatshëm të takohej me liderët kosovarë, me përjashtim të kryeministrit Thaçi.

Një tjetër tregues për këtë tërheqje kanë qenë edhe deklaratat e tij radikale lidhur me Kosovën, sidomos ajo se, Serbia do ta mbajë atë edhe me luftë.

Deklaratës në fjalë iu përgjigj dy ditë më parë vetë kryeministri kosovar, i cili e cilësoi atë si më negativen përsa i përket paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

Megjithatë, Thaçi tha se do të jetë sërish në ballë të betejës dhe i rekomandoi Nikoliç që të mos ëndërrojë për Kosovën por të merret me shtetin e tij.

“Unë do t’i përgjigjem atij dhe ai do të largohet i turpëruar e si humbës në çdo aventurë të re me Kosovën. Duke humbur betejën me Kosovën, ai do të mund të mendojë për pashallëkun e Beogradit”, deklaroi Thaçi.

Top Channel