Shefi i ri i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Aleksandar Vulin ka deklaruar se Kosova është një çështje që nuk i përket asnjë partie dhe se ai vetë do të punojë në bazë të rezolutës 1244 të OKB-së.

Në një prononcim për mediat serbe, Vulin ka thënë se shteti serb ka një politikë unike ndaj Kosovës, duke shtuar se në fazat e reja të dialogut do të përfshihen edhe serbët e Kosovës, të cilët deri më sot nuk kanë qenë pjesë e bisedimeve.

Sa për strukturat paralele në veri, zyrtari serb ka vlerësuar se ato nuk janë ilegale, por janë legjitime dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Serbisë.

“Institucionet serbe në Kosovë nuk janë paralele. Nëse ato ekzistojnë, atëherë janë institucionet e Hashim Thaçit dhe ne ndikimin e tyre duhet ta margjinalizojmë”, ka vijuar Vulin.

Zyra e qeverisë serbe për Kosovën do të zëvendësojë Ministrinë për Kosovën, e cila me formimin e qeverisë së re do të shkrihet.

Vulin u zgjodh kryetar i saj dy ditë më parë, pasi siguroi mbështetjen nga partitë kryesore politike serbe, pas emërimit të tij nga Partia Progresiste, e drejtuar nga presidenti Tomisllav Nikoliç.

Vulin ka qenë një prej themeluesve të JUL-së, siç njihej ndryshe e majta jugosllave, e drejtuar nga bashkëshortja e Sllobodan Millosheviç, Mira Markoviç. Në këtë grupim ai kishte funksionin e nënkryetarit dhe atë të zëdhënësit.

Top Channel