Siri, opozita thirrje për ofensivë masive

25/07/2012 12:20

Udhëheqësit ushtarakë të opozitës së armatosur siriane urdhëruan forcat e tyre të ndërmarrin një ofensivë masive kundrejt forcave ushtarake të presidentit Bashar al-Assad që janë nisur drejt qytetit Alepo, qyteti i dytë më i madh në vend, një pjesë e madhe e të cilit aktualisht kontrollohet nga rebelët.

Rebelët thonë se regjimi tërhoqi 2 mijë trupa ushtarake të pajisura me tanke dhe artileri të rëndë nga qyteti i Idlibit duke i nisur ato drejt Alepos në përpjekje për të rimarrë kontrollin në këtë qytet.

Alepo është një qytet me rëndësi strategjike si ekonomike ashtu edhe ushtarake në Siri dhe nëse rebelët marrin kontrollin e plotë të tij, jo vetëm që rrisin potencialin e tyre luftarak dhe ekonomik, por dërgojnë edhe një mesazh të qartë presidentit al-Assad se regjimi i tij është drejt fundit.

Ndërkohë, forcat e presidentit Bashar al-Assad nuk kursejnë tashmë as pelegrinët që mblidhen nëpër xhamitë për të respektuar Muajin e Ramazanit.

Të paktën 30 pelegrinë u vranë në afërsi të një xhamie në një fshat në provincën e Hamas. Dëshmitarë nga vendngjarja citohen nga mediat ndërkombëtare të thonë se trupat “shabihe”, ose të njohurit si besnikët mizorë të al-Assad, ngritën një postobllok në afërsi të xhamisë së provincës dhe nisën të qëllojnë pandalim kundrejt turmës së besimtarëve që po përgatitej të futej në xhami. Nga të dhenat të pakonfirmuara, raportohet për të paktën 30 të vdekur dhe dhjetra të plagosur.

Top Channel