Siri, masakra në dyert e xhamive

25/07/2012 00:00

Forcat e presidentit Bashar al-Assad nuk kursejnë tashmë as pelegrinët që mblidhen nëpër xhamitë për të respektuar Muajin e Ramazanit.

Të paktën 30 pelegrinë u vranë në afërsi të një xhamie në një fshat në provincën e Hamas. Dëshmitarë nga vendngjarja citohen nga mediat ndërkombëtare të thonë se trupat “shabihe”, ose të njohurit si besnikët mizorë të al-Assad, ngritën një postobllok në afërsi të xhamisë së provincës dhe nisën të qëllojnë pandalim kundrejt turmës së besimtarëve që po përgatitej të futej në xhami.

Nga të dhenat të pakonfirmuara, raportohet për të paktën 30 të vdekur dhe dhjetra të plagosur.

Ndërkohë, BBC njofton se avionë luftarakë kanë bombarduar zonat lindore të qytetit të dytë më të madh të Sirisë, Alepo. Sulmi që erdhi pas një serie të shtënash me artileri, shihet si një fakt domethënës në përshkallëzimin e konfliktit sirian. Rebelët nisën një ofensivë kundër forcave qeveritare në Alepo në fundjavë, në përpjekje për të marrë nën kontroll qytetin.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton thotë se kontrolli i territorit nga rebelët do ta kthejë atë në një “parajsë të sigurtë” brenda Sirisë.

“Ne duhet të punojmë ngushtë me opozitën, sepse ajo po fiton epërsi. Territoret e marra nën kontroll mund të kthehen në parajsa të sigurta që mund të përdoren si baza për aksione të mëtejshme të opozitës”, tha Clinton para gazetarëve në Uashington.

Zonja Clinton tha se ngjarjet në Siri po përshpejtohen dhe i bëri thirrje opozitës që të përgatitet për tranzicionin qeveritar, duke shtuar se nuk është ende shumë vonë për presidentin Assad që të përgatitet për dorëzimin e pushtetit.

Forcat qeveritare nisën atë që korrespondentët e quajtën një sulm të koordinuar në Tarik al Bab, zonë në lindje të Alepos, gjatë së martës, së pari me një pritë me 300 raketa dhe më pas me bombardime më avionë.

Mendohet se kjo është hera e parë që avionët luftarakë sirianë përdoren për të bombarduar objektivat urbanë gjatë konfliktit, teksa forcat qeveritare përpiqen të rimarrin nën kontroll ato zona tregtare të Sirisë, që janë zaptuar nga rebelët.

Turqia shqyrton mbylljen e kufirit me Sirinë

Turqia ka ndërmend të mbyllë pikat kufitare me Sirinë, pak ditë pasi rebelët e opozitës së armatosur morën kontrollin e pikave kufitare në anën siriane.

Lajmi është njoftuar nga Ministri turk i Doganave dhe Tregtisë, Hayati Yazici, i cili saktësoi gjithashtu se ky nuk është një vendim përfundimtar, por se pas konsultave dhe përcaktimeve se cfarë do të lejohet të shkëmbehet mes dy vendeve e cfarë jo do të ndërmerret një masë e tillë.

Turqia, një ndër vendet e para që ka bërë thirrje për largimin e presidentit Bashar al-Assad, strehon rreth 40 mijë të zhvendosur të konfliktit sirian.
 

Top Channel