Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Nebojsa Stefanoviç, caktoi ditën e enjte një seancë të posaçme, gjatë së cilës do të zgjidhet qeveria e re e vendit.

Në këtë seancë, kryeministri dhe anëtarët e tjetë të kabinetit do të bëjnë edhe betimet e tyre.

Qeveria e re e Serbisë do të udhëhiqet nga kryeministri Ivica Daçiç. Falë koalicionit midis Partisë Progresive të Serbisë dhe Partisë Socialiste, qeveria e re pritet të ketë në Kuvend mbështetjen e të paktën 140 votave, ndërsa i duhen vetëm 126 vota nga 250 deputetë për t’u zgjedhur.

Sipas marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar nga të dy forcat, objektivat kryesorë të qeverisë do të jenë intergrimi europian, qëndrueshmëria ekonomike, lufta kundër korrupsionit dhe përpjekja për të përmirësuar sistemin e drejtësisë.

Qeveria e re do të ketë në total 17 ministra dhe katër zyra të posaçme, që do të merren përkatësisht me çështje si Kosova, të drejtat e njeriut dhe minoriteteve, komunitetet fetare dhe diaspora.

Top Channel