Pushohen hetimet për Ilia Bashon

25/07/2012 19:55

Dy muaj pasi la pas krahëve paraburgimin si i dyshuar nga prokuroria për vrasjen e bashkëshortes së tij Eleni Basho, organi i akuzës ka pushuar hetimet ndaj Ilia Bashos, me argumentin e mungesës së provave.

Në dokumentin që Top Channel disponon, prokurori Etien Kapo thotë shprehimisht se: “Vendosa pushimin e hetimeve në ngarkim të shtetasit Ilia Basho pasi nuk provohet që vepra penale për të cilën hetohet të jetë kryer prej tij dhe se, meqenëse hetimet në ngarkim të Ilia Bashos pushohen, atëherë shuhet edhe masa e sigurimit ‘detyrim me paraqitje’ në policinë gjyqësore”.

I kontaktuar në telefon, avokati mbrojtës Lazer Sokoli deklaroi se do t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar dëmshpërblim nga shteti për mbajtjen pa të drejtë të Ilia Bashos në burg për disa muaj rresht.

Në vendimin në fjalë, prokuori thotë se: “Eleni Basho u vra pikërisht disa metra para se të mbërrinte në banesë. Asaj i ka dalë në rrugë një person i armatosur me pistoletë, i cili e ka qëlluar dy herë. Për pasojë gruaja ka gjetur vdekjen e menjëhershme”.

Në lidhje me këtë ngjarje, vijon prokurori, janë pyetur shumë persona, mes të cilëve edhe Yllka Shehaj, e cila, thotë prokurori, pranon lidhjen intime me Ilia Bashon.

I pyetur për veprën për të cilën po hetohej shtetasi Ilia Basho, organi i akuzës thotë se ai ka mbajtur qëndrim mohues duke mos e pranuar faktin që i atribuohet.

Prokurori vijon se, përderisa dyshimet në lidhje me veprën për të cilën hetohej shtetasi Basho nuk gjejnë mbështetje në prova, atëherë këto dyshime vlerësohen në favor të këtij shtetasi.

Top Channel