Poeti Ali Podrimja ka ndërruar jetë në Francë për shkak të dehidratimit. Burime nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, të cituara nga agjencia e lajmeve KosovaPress, thonë se ky është raporti paraprak i mjeko-ligjorëve francezë.

Përfundimet ende nuk janë zyrtare, por sipas raportit të hetuesve francezë, mbi trupin e të ndjerit nuk janë gjetur shenja dhune dhe përjashtohet mundësia e vetëvrasjes. Për autoritetet franceze, Podrimja ka humbur orientimin gjatë një shëtitjeje në pyll dhe pas orësh të tëra lëvizjeje është dehidratuar.

Ali Podrimja u denoncua i zhdukur nga familjarët dhe të afërmit e tij të cilët thanë se kishin humbur kontaktet më të që prej datës 18 korrik. Denoncimi që alarmoi diplomacinë kosovare u bë më 20 korrik. Një ditë më vonë, policia franceze gjeti trupin e pajetë të poetit në afërsi të qytetit Lodve ku ai kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë.

Trupi i pajetë i poetit pritet të mbërrijë të enjten në Kosovë, ndërsa autopsia e plotë e policisë franceze do të duhet të paktën edhe 2 javë për të dalë me rezultatet përfundimtare.

Varrimi i poetit Podrimja do të zhvillohet po të enjten në orën 14:30. Në orën 12:00 do të nisin homazhet në nderim të jetës dhe veprës së poetit në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve në Prishtinë, ndërsa në orën 14:30 niset arkëmorti drejt banesës së fundit të poetit.

Top Channel