Lavrov: SHBA mbështet terrorizmin në Siri

25/07/2012 19:35

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov akuzoi Shtetet e Bashkuara se po justifikojnë terrorizmin në Siri dhe kundërshtoi ashpër sanksionet e njëanshme kundër Damaskut.

“Duke folur për sanksionet, përfshirë edhe paketën e 17-të të sanksioneve kundër Sirisë që u miratua ditë më parë, ne jemi kundër masave të njëanshme në parim. Ne jemi për diskutime kolektive për çdo çeshtje. Fatkeqësisht, kur Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera nisën të vendosin sanksione të njëanshme kundër Sirisë, nuk na pyetën për ndonjë këshillë”, u shpreh Lavrov.

Ministri gjithashtu kritikoi edhe vendet perëndimore që nuk dënuan sulmin që vrau zyrtarë të lartë të regjimit. Ai iu referua deklaratës së zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Viktoria Nulend, sipas të cilës, “të tilla sulme nuk të habisin kur sheh sjelljen e qeverisë siriane”.

“Ajo tha se kur regjimi i Assadit vepron në menyrë të tillë, kur Këshilli i Sigurimit nuk mund të kalojë çdo gjë që Shtetet e Bashkuara dhe Europa perëndimore kërkon, nuk është habi që në Damask apo në Siri, të tilla sulme të ndodhin, nuk është suprizë që opozita të zgjedhë të tilla akte. Ky është një justifikim i drejtëpërdrejtë për terrorizëm. Si duhet ta kuptojmë këtë?”.

Kryediplomati rus, foli për gazetarët pas takimit me homologun qipriot, Erato Kazaku Markullis, në Moskë.

Top Channel