Policia e Kosovës arrestoi dy persona, pasi zbuloi në zotërimin e tyre 86 armë dhe mijëra municione të kalibrave të ndryshëm.

Sipas zyrës për informim, aksioni ndodhi të mërkurën në Rahovec, kur njësia patrulluese e trafikut, së bashku me njësinë e krimeve rrugore, realizuan një kontroll ndaj një mjeti të dyshuar të markës “BMW”, ku u gjetën qindra fishekë.

Municioni madhor i armëve u zbulua me pas në banesat e transportuesve, Lulzim H. (29 vjeç) dhe Qamil M. (31), të cilët u prangosën në flagrancë.

Sipas raportimeve, fillimisht u zbulua vetëm një qese e dyshimtë në makinë, që detyroi policët vendas të kërkonin asistencën e njësive të specializuara, nga frika e mundësisë së pasjes së lëndëve shpërthyese në automjet.

Megjithatë, qesja përmbante vetëm rreth 700 plumba. Ishte kontrolli surprizë në banesat e të dyshuarve në Podujevë dhe Obiliq, që zbuloi një arsenal të vërtetë armësh, ku përfshiheshin 86 pistoleta të llojeve të ndryshme, 11 500 municione të kalibrit AK-47 (kallashnikov), 1 600 municione të kalibrave të ndryshëm dhe disa dhjetëra karikatorë pistoletash.

Besohet se të dy shtetasit kosovarë trafikonin armë për arsye përfitimi.

Top Channel