Francë, papunësia në shifra rekord

25/07/2012 21:50

Kriza e rëndë ekonomike ka bërë që në Francë të regjistrohet një rekord papunësie që nuk konstatohej prej kohësh.

Numri i të papunëve ka arritur në qershorin e këtij viti kuotën e 2 milionë e 945 mijë personave, plot 23.700 më shumë krahasuar me muajin maj.

Shifra në fjalë ka shënuar kështu nivelin rekord që prej vitit 1991, ka bërë të ditur Ministria e Punës në Paris, sipas të cilës në bazë vjetore taksa franceze e papunësisë për qershorin është rritur me 7.8%.

Shifrat e rënda vijnë pasi më herët gjatë muajit prodhuesi francez i makinave Peugeot-Citroen njoftoi se ka në plan të shkurtojë 8 mijë vende pune dhe të mbyllë një impiant jashtë Parisit, si pasojë e rënies së të ardhurave.

Peugeot deklaroi se impianti Aulnaj në afërsi të kryeqytetit francez, ku punojnë 3 mijë persona, do të ndalojë punën në vitin 2014.

Një impiant tjetër, ai në Rene, në perëndim të Francës, pritet të shkurtojë 1400 vende pune nga 5600 punonjës që ka gjithësej. Ndërkohë, një tjetër shkurtim prej 3600 vende pune do të shkurtohen në impiantet në të gjithë Francën.

Javën e kaluar Peugeot deklaroi se shitjet në gjysmën e parë të vitit kishin rënë me 13 për qind për shkak të krizës së thellë në tregjet e eurozonës.

Top Channel