Zjarret në pyje, Spanja me sytë nga qielli

24/07/2012 00:00

Kushte më të favorshme atmosferike kanë rritur optimizmin dhe shpresat e autoriteteve spanjolle për mundësinë e vendosjes së shpejtë nën kontroll të zjarreve në Katalonjë.

Zyrtarët e krahinës verilindore informuan se një rënie në temperatura, shoqëruar me rritje të lagështisë dhe mungesë të erës do të favorizojë shuarjen e vatrave, që deri tani kanë shkrumbuar me dhjetëra hektarë pyje e kanë shkaktuar katër viktima.

”Kemi arsye për të qenë optimistë”, deklaroi ministri i Brendshëm i Katalonjës, Felip Puig, ndërsa theksoi se operacionet për shuarjen e flakëve vazhdojnë me ritëm të plotë.

Ndërkohë, hetimet për fillimin e zjarrit kanë arritur në përfundimin se ai është shkaktuar me shumë gjasa nga një cigare e hedhur në mënyrë të pakujdesshme në pyll.

Spanja ka vuajtur verën më të thatë në disa dekada, duke u bërë veçanërisht e ekspozuar nga zjarret masive që kanë pushtuar zona të tëra të gjelbërta në të gjithë vendin.

Ndërkohë, edhe në shtetin fqinj, në Portugali, flakët kanë përfshirë zona të tëra të vendit, duke shkaktuar evakuimin e dhjetëra mijëra banorëve, ndërsa zjarrëfikësit përpiqen të vendosin nën kontroll vatrat e zjarrit.

Top Channel