Siri, avionët bombardojnë Alepon

24/07/2012 20:00

Avionë luftarakë kanë bombarduar zonat lindore të qytetit të dytë më të padh të Sirisë, Alepo, ka bërë të ditur një gazetar i BBC që ndodhet pranë qytetit.

Sulmi, që erdhi pas një seri të shtënash me artilieri, shihet si një fakt domethënës në përshkallëzimin e konfliktit sirian.

Rebelët nisën një ofensivë kundër forcave qeveritare në Alepo në fundjavë, në përpjekje për të marrë nën kontroll qytetin.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton thotë se kontrolli i territorit nga rebelët do ta kthejë atë në një “parajsë të sigurtë” brenda Sirisë.

“Ne duhet të punojmë ngushtë me opozitën, sepse ajo po fiton epërsi. Territoret e marra nën kontroll mund të kthehen në parajsa të sigurta që mund të përdoren si baza për aksione të mëtejshme të opozitës”, tha Clinton para gazetarëve në Uashington.

Zonja Clinton tha se ngjarjet në Siri po përshpejtohen dhe i bëri thirrje opozitës që të përgatitet për tranzicionin qeveritar, duke shtuar se nuk është ende shumë vonë për presidentin Assad që të përgatitet për dorëzimin e pushtetit.

Forcat qeveritare nisën atë që korrespondentët e quajtën një sulm të koordinuar në Tarik al Bab, zonë në lindje të Alepos, gjatë së martës, së pari me një pritë me 300 raketa dhe më pas me bombardime më avionë.

Mendohet se kjo është hera e parë që avionët luftarakë sirianë përdoren për të bombarduar objektivat urbanë gjatë konfliktit, teksa forcat qeveritare përpiqen të rimarrin nën kontroll ato zona tregtare të Sirisë, që janë zaptuar nga rebelët.

Top Channel