Olldashi: Nishani ka vendosur piketat e duhura

24/07/2012 00:00

Deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi ka vlerësuar prioritetet e
prezantuara nga presidenti i ri Bujar Nishani në fjalimin e betimit si
kryetar shteti.

Në një prononcim për Top Channel, Olldashi, një mik i afërt me Nishanin, ka shprehur pritshmëritë më të larta për presidentin e ri të Republikës.

“Besoj se zoti Nishani do të jetë një president shumë i mirë. Fjalimi që ai sapobëri tregoi prioritetet që do ketë presidenca Nishani, të cilat për opinionin tim ishin të përcaktuara shumë mirë”, ka deklaruar Olldashi.

Ministri i Transporteve ka vlerësuar në veçanti angazhimin e Nishanit për sistemin e drejtësisë dhe për forcimin e pavarësisë së tij, ndërkohë që ka refuzuar të bëjë komente për presidencën Topi.

“Opinioni im për presidentin Topi është i njohur dhe sot nuk ia vlen të komentoj. Unë komentoj piketat e zotit Nishani dhe mendoj se ato janë të vendosura shumë mirë. Jam i bindur se ai do t’i ndjekë me rigorozitet”, ka shtuar Olldashi.

Majko: Shpresoj që Nishani të mbajë fjalën

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ka shprehur shpresën e tij që presidenti Nishani të mbajë fjalën e dhënë përsa i përket rolit të tij në marrëdhëniet pozitë-opozitë.

“Sot është një ditë që nuk besoj se ia vlen të flasësh me fjalë opozitare. Shpresoj që zoti Nishani të jetë një urë, nëse do të mundet, për marrëdhëniet mes pozitës dhe opozitës”, ka deklaruar Majko.

Megjithatë, ish-kryeministri ka shprehur disa rezerva për fjalimin e parë të Nishanit gjatë betimit të tij si president, pasi sipas tij kishte mungesë të elementëve patriotikë.

“Ajo që më bëri përshtypje ishte se në fjalimin e tij të parë ai nuk foli për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, etj. Megjithatë, shpresoj që ky të ketë qenë fjalimi i parë i tij, i parashikuar nga protokolli. Mendoj se në të ardhmen ai do t’i ketë parasysh këto gjëra”, ka thënë Majko.

Më tej, duke komentuar rolin e presidentit të Republikës, Majko ka shprehur pikëpamjen e tij përsa i përket konflikteve politike që lindin mes qeverisë dhe kreut të shtetit, të cilat sipas tij e kanë zanafillën tek Kushtetuta.

“Qeveria hyn në konflikt me Presidencën sepse Kushtetuta, pavarësisht se flet për një republikë presidenciale, ka një sistem kancelar. Pra, kryeministri është figurë qendrore. Kushtetuta e ka këtë. Në thelb presidenti duhet të jetë një arbitër. Se sa arbitrim do ketë këtë herë, kjo mbetet për t’u diskutuar”, ka shtuar Majko.

Top Channel