Kamikazi që vrau gjashte hebrenj, një shtetas bullgar dhe veten në një sulm ndaj një autobuzi me turistë gjatë javës së shkuar ishte pjesë e një grupi të sofistikuar terrorist, deklaroi ditën e martë kryeministri Boiko Borisov.

Sipas informacioneve të shtetit bullgar, celula e terroristëve ishte zhvendosur në vendin ballkanik një muaj përpara sulmit.

Megjithatë, Borisov kundërshtoi pretendimin e Tel Avivit zyrtar, që menjëherë pas shpërthimit akuzoi grupin militant libanez të “Hezbollah”-ut si përgjegjës. Gjithashtu, kryeministri përcaktoi se nga të dhënat paraprake, nuk ka asnjë gjurmë të përfshirjes së autoriteteve iraniane në atentat, siç u pretendua gjithashtu prej Izraelit.

”Nuk jemi ende në gjendje të themi se sa persona ishin të përfshirë në këtë grup terrorist, por është e qartë se ata kanë qenë veçanërisht të stërvitur dhe se kanë vepruar nën një disiplinë tepër të fortë, që i lejoi edhe të mbeteshin të fshehur deri në fund. Ata kanë qarkulluar me makina të marra me qera, duke ndryshuar vazhdimsisht qytetet dhe kanë qëndruar gjithmonë larg njëri-tjetrit, por disa kamera sigurie në ambiente të ndryshme na kanë dhënë informacione që po i shqyrtojmë imtësisht”, deklaroi kryeministri Borisov.

Ai shtoi se përballë një celule kaq të sofistikuar, Sofja zyrtare nuk kishte asnjë mundësi në dorë për të shmangur atentatin. “E vetmja mënyrë që ta zbulonim ishte rastësisht ose nëse Shërbimet Sekrete do të kishin pikasur diçka më parë”, u shfajësua kryeministri.

Ndonëse fillimisht u tha se personi që realizoi sulmin ishte kapur nga kamerat e sigurisë së aeroportit të Burgasit, ku ai ndodhej pak përpara se të kryente sulmin mbi autobuz, identiteti i kamikazit mbetet ende i paqartë.

Përveç viktimave, disa dhjetëra persona mbetën të plagosur, disa prej të cilëve vazhdojnë të jenë në spitale duke marrë trajtim.

Top Channel