Britani, inkriminohet ish-stafi i Murdoch

24/07/2012 17:20

Rebekah Brooks dhe Andy Coulson do të inkriminohen. Lajmin e ka bërë të ditur prokurori britanik që po heton mbi skandalin e përgjimeve nga ana e mediave të Rupert Murdoch.

Në total prokuroria ka inkriminuar tetë persona, gjashtë prej të cilëve ish-gazetarë.

Coulson, ish-zëdhënës i David Cameron, po gjykohet edhe në Skoci për dëshmi të rremë, ndërsa Brooks, ish-administratore e “News International”, duhet të përgjigjet me bashkëshortin Charlie Wade për pengim të drejtësisë.

Brooks është shprehur e “shqetësuar” por edhe e “inatosur” për akuzat që prokuroria ka njoftuar të martën ndaj saj.

Ajo ka pretenduar për pafajësi në lidhje me përgjimet e kryera nga e përjavshmja “News of the World”, të cilën e ka drejtuar për disa vite me radhë.

Gjithashtu, Brooks ka thënë se nuk i ka autorizuar dhe se nuk ka qenë në dijeni që përgjimet ishin bërë nga redaksia e gazetës, që para se të mbyllej kishte tirazhin më të madh në Britani.

Brooks dhe të tjerët janë inkriminuar për përgjime të kryera mes tetorit 2000 dhe gushtit 2006 të telefonave të rreth 600 personave, mes të cilëve yje të Hollivudit si Angelina Jolie dhe Brad Pitt.

Gjithashtu, grupi akuzohet për përgjimin e celularit të Milly Doëler, adoleshentja e rrëmbyer nga një manjak dhe më pas e vrarë nga ky i fundit.

Ka qenë pikërisht kjo akuzë që ka tronditur më shumë “kuqaloshen” e Rupert Murdoch. “Jo vetëm sepse është falso, por sepse kam kaluar gjithë karrierën time si gazetare duke mbrojtur viktimat e kriminelëve”, ka thënë ajo.

Top Channel