Pas vizitës në disa shtete të rajonit, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, të martën do të vijë edhe në Kosovë.

Axhenda e tij deri të hënën pasdite nuk është bërë e ditur plotësisht, por mësohet se gjatë qëndrimit të tij në Kosovë pritet të takohet me disa liderë.

Ban Ki Moon do të largohet nga Kosova të martën në mbrëmje, e deri atëherë Policia e Kosovës ka hartuar një plan që ka për qëllim sigurinë e shefit të OKB-së dhe stafit të tij, ku do te angazhohen një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve policorë.

Në anën tjetër, politika në Kosovë jep vlerësime të ndryshme për vizitën e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Zëvëndëskryeministri, Hajredin Kuçi, ditë më parë tha se kjo vizitë është e rëndësishme për Kosovën.

“Vizita e Ban Ki Moon është një lajm i mirë për Kosovën, për rajonin dhe është një përqëndrim i tij dhe i OKB-së për zhvillimet politike që ndodhin në Kosovë”, tha Kuçi, duke shtuar se nuk duhet të ndërlidhet me ndonjë paragjykim tjetër.

Ndërsa sot, Teuta Sahatçia, nënkryetare dhe deputete e LDK-së, thotë se krerët e shtetit të Kosovës duhet të kërkojnë nga Ki Moon zvogëlimin sa më të madh të rolit të misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK-ut.

Sipas saj, nga zoti Ban Ki Moon duhet të kërkohen sqarime se në emër të kujt flet shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiç, i cili tha më herët gjatë muajit se, kërkesa e Kosovës për anëtarësim në OKB gjatë kohës që Serbia kryeson Asamblenë e Përgjithshme do të mund të ndodhte vetëm mbi trupin e tij të vdekur.

“Këto fjalime millosheviçiane nuk bëhen vetëm nga presidenti serb, por edhe nga Vuk Jeremiç, i cili, ende pa u ulur mirë në karriken e kryesuesit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përçon mesazhe të dëmshme duke shfrytëzuar selinë e Kombeve të Bashkuara. Mendoj se këto duhet t’i tregohen zotit Ban Ki Moon dhe të kërkohet prej tij se çfarë përgjegjësie ka e në emër të kujt flet Jeremiç”, deklaron Sahatçia.

Ndërsa në lëvizjen Vetëvendosje thonë se sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon do ta vizitojë Kosovën në cilësinë e një protektorati të Kombeve të Bashkuara dhe jo si një shtet të pavarur.

“Në qoftë se ai po vjen për të diskutuar gjashtëpikëshin, për të cilin ka thënë se është në përputhje të plotë me katërpikëshin e Tadiç dhe ka deklaruar edhe më herët se ka një marrëveshje me qeverinë serbe për atë se si duhet të jetë zgjidhja për veriun, atëherë ne i themi më mirë të mos vijë fare. Sepse ne qëndrimin tonë për gjashtëpikëshin e kemi bërë të ditur prej kohësh. Në atë gjashtëpikësh parashikohet që policia në veri të ndahet nën një komandë tjetër, që doganat në veri dhe një pjesë e fondeve të shkojnë drejt e në strukturat qeverisëse atje, pa kaluar fare në Prishtinë”, deklaron Shpend Ahmeti, nënkryetar i Vetëvendosjes.

Sidoqoftë, Ban Ki Moon vjen në Kosovë pas vizitës në Beograd. Në turneun e tij ballkanik, që e nisi më 20 korrik, ai vizitoi edhe Slloveninë, Kroacinë dhe Malin e Zi, ndërsa do të qëndrojë edhe në Maqedoni e Bosnjë.

Top Channel