Kriza spanjolle, euro në rënie të lirë

23/07/2012 15:40

Monedha e përbashkët europiane “euro” regjistroi kuotat më të ulta në këmbimin me jenin japonez në 11 vjet, ndërsa tregjet janë duke u ndikuar nga frika për një përkeqësim të mundshëm të problemeve spanjolle.

Një euro u shkëmbye me 94,37 jen në tregjet aziatike gjatë të hënës, kuota më e ulët që prej nëntorit 2000.

Zhvlerësim u regjistrua edhe ndaj monedhave të tjera kryesore botërore, dollarit amerikan, stërlinës britanike apo juanit kinez.

Ditën e premte, krahina e Valencias në Spanjë praktikisht deklaroi falimentimin, duke i kërkuar qeverisë qëndrore që ta ndihmonte urgjentisht me para të fondit të shpëtimit që i është akorduar vendit nga BE.

Si rrjedhojë, interesat e huamarrjes për Madridin zyrtar pësuan një rritje të menjëhershme në tregje, duke shprehur qartë frikën për mundësinë e një kolapsi.

Sipas ekspertëve, rënia e një prej ekonomive kryesore të BE-së, si ajo spanjolle, ndryshe nga rasti grek, do të ishte në gjendje të kërcënonte edhe vetë ekzistencën e bllokut.

Ditën e hënë, interesat për letrat 10-vjeçare me vlerë të Spanjës u rritën në rekordin e 7,28%, ndërsa bursa kryesore e Madridit, ajo “Ibex”, humbi 6%, duke regjistruar kështu ditën më të keqe në dy vjet.

Top Channel