Maqedonia duket se do fillojë më në fund ndërtimin e linjës hekurudhore me Bullgarinë, një nga pjesët më problematike që ka mbajtur pezull projektin e Korridorit të Tetë.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave, Zoran Stavrevski deklaroi në një dalje para mediave se qeveria maqedonase ka siguruar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim 46.4 milionë euro kredi me interesa të ulëta, që do bëjnë të mundur rehabilitimin dhe ndërtimin tërësor të korridorit të tetë hekurudhor drejt Bullgarisë.

Sipas tij, rikonstruksioni dhe ndërtimi i tërësishëm i këtij aksi hekurudhor bëhet i mundur pas 15 viteve ngecjeje.

Ndërtimi i aksit hekurudhor pritet të fillojë në tremujorin e parë të vitit 2013, për të përfunduar gjatë tre deri në katër vitet e mëvonshme. Tenderi për ndërtimin është planifikuar të publikohet në shtator, sapo marrëveshja për kredinë me BERZH-in të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë.

Ministri Stavreski ka pohuar se ndërkohë po punohet në kompletimin e dokumentacionit edhe për pjesën perëndimore  të Korridorit 8 hekurudhor, ose të aksit nga Kërçova deri në kufi me Shqipërinë.

Korridori i tetë është një nismë e ish-presidenti amerikan Bill Clinton në vitin 1994, i cili synonte ndërtimin e një rrjeti kompleks, rrugor, hekurudhor dhe linjash transporti të naftës dhe gazit, që lidhin portet bullgare të Detit të Zi me portin e Adriatikut, duke kaluar përmes Maqedonisë.

Ky korridor është konsideruar si një nga projektet më të rëndësishme tregtare të rajonit, por për shumë vite ndërtimi i tij ka mbetur në letër. Por shumë specialistë të fushës mbeten skeptikë për realizimin e projektit.

Vetëm pak ditë më parë në takimin e Organizatës për bashkëpunimin ekonomik të Detit të Zi, çështja e Korridorit të Tetë ishte në qëndër të fjalës së kryeministrit Berisha, i cili i bëri thirrje Maqedonisë dhe Bullgarisë që të angazhohen për ndërtimin e projektit, duke premtuar se Shqipëria do ta bëjë pjesën e saj.

Top Channel