Shefi i zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, Pieter Faith vendos për vazhdimin mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese bazuar në ligjin për pavarësinë e mbikëqyrur i cili akoma nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Zëdhënësi i ICO-së, Dren Selimi tha se Gjykatësit ndërkombëtarë janë emëruar në bazë të fuqisë së përfaqësuesit civil ndërkombëtar, ndërsa sipas tij një nga ndryshimet e propozuara në Kushtetutë do të lejojë emrime të tilla të vazhdojnë për një periudhë të kufizuar kohore.
 
Kështu gjyqtarët Robert Carolan, Snezhana Botusharova dhe Almiro Rodrigues do të jenë pjesë e gjykatës kushtetuese deri në muajin gusht të vitit 2014.  
 
Nga ana tjetër kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka kërkuar nga Komisioni Europian mbështetje financiare për punën e tre gjyqtarëve të huaj.

Gjykata Kushtetuese konfirmoi se Komisioni Europian nuk ka qenë i gatshëm të paguajë për punën e tyre në Kosovë por në vend të tij janë shprehur të gatshme shtetet vec e vec, SHBA-të, Zvicra, Finlanda, Austria dhe Norvegjia.
 
Zëdhënësi i Gjykatës Kushtetutese, Veton Dula tha se:
“Kjo kërkesë është bërë për faktin se, Gjykata Kushtetuese aktualisht ka vetëm 8 anëtarë prej përbërjes së rregullt prej 9 anëtarësh. Dhe, largimi eventual i 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë do të rezultonte me bllokimin e punës së gjykatës me muaj të tërë, e ndoshta edhe vite, duke pasur parasysh faktin se për punë të suksesshme dhe vendimmarrjen e gjykatës është i domosdoshëm kuorumi prej së paku 7 gjyqtarësh”.
 
“Vendimi është marrë në pajtueshmeri me institucionet e Kosovës”, tha shkurt zëvendëskryeministri Hajredin Kuci. Ai kujtoi se pavarësisht se ligji i cili i parasheh këto vendime nuk është miratuar në kuvend, Faith ka kompetenca për emërime të tilla.

Një cështje tjetër për të cilën po interesohen institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare është vazhdimi i mandatit të EULEX-it deri në vitin 2014.

Një burim zyrtar ka shpjeguar në vija të trasha përmbajtjen e letrës të cilën presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka dorëzuar në Bruksel në të cilën ka kërkuar vazhdimin e mandatit të EULEX.

Bëhet e ditur se në letër specifikohet se pjesëtarët e EULEX-it do të gëzojnë imunitet përballe ligjeve të Kosovës, ndërkaq dokumenti në të cilën ata do të thirren për cështje të caktuara është pakoja e Ahtisarit të cilës pas përmbylljes së procesit të pavarësisë i skadon afati.

Mësohet se zëvendëskryeministri Hajredin Kuci do të udhëtojë javën tjetër në Bruksel për të përcaktuar numrin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve të EULEX-it të cilët do të vazhdojnë mandatin në Kosovë.

Top Channel