Kolorado, policia çaktivizon shtëpinë e vrasësit

21/07/2012 20:45

Po përgatiste një masakër tjetër James Holmes, i riu që të premten shkaktoi masakrën në premierën e filmit “Batman”, në një kinema të lagjes Aurora, në periferi të Denverit. 

Për orë të tëra, policia lokale, e mbështetur nga skuadra specialistësh të eksplozivit, ka punuar për të çaktivizuar masivin e ekplozivit me të cilin ishte mbushur apartamenti i të riut.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, në apartamentin e vogël ndodheshin 60 bomba gati për të shpërthyer, 30 prej të cilave ishin granata artizanale.

E gjithë zona është evakuar, të paktën 5 ndërtesa përreth shtëpisë janë braktisur nga banorët nga frika e shpërthimeve.

Në fund, sipas burimeve mediatike, agjentët kanë arritur të kthejnë sigurinë në shtëpinë e Holmes, duke shkëputur me sukses të gjithë telat që mund të aktivizonin bombat.

“Kolorado” rihap debatin e armëve

Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg, në një intervistë për CBS që do të transmetohet ditën e diel, është shprehur kundër lirisë së blerjes së armëve.

“Të armatosësh të gjithë dhe të kesh një Far West është një nga gjërat më të pakuptimta që mund të thuhet”, ka deklaruar Bloomberg.

Deklaratat e kryebashkiakut erdhën pas atyre të bëra nga senatori republikan i Teksasit, Louie Gohmert, i cili shtroi pyetjen nëse, vrasësi i kinemasë mund të ishte ndalur më shpejt nëse në sallë do të kishte qenë dikush i armatosur.

Shqetësime edhe në Evropë

Masakra e kinemasë në Denver të Kolorados ka shqetësuar edhe Evropën.
Komisionerja e BE për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom është
shprehur e “rrënqethur” nga ngjarja, duke dhënë edhe një fakt tronditës.

“Në Krishtlindjet e kaluara armët ishin një nga dhuratat më popullore,
në mos më populloret në absolut në Shtetet e Bashkuara”, ka deklaruar e
alarmuar komisionerja.

Siç dihet, autori i masakrës
e kishte blerë armën dhe municionet në rrugë ligjore dhe për rrjedhojë
nuk pati asnjë vështirësi të ekzekutonte 12 vetë dhe të plagoste 59 të
tjerë. (poshtë në foto dyqani ku vrasësi bleu armët)

Ndërkohë, katër nga 58 të plagosurit në masakër mbeten në terapi intensive. Dy prej tyre janë në gjendje “kritike por të qëndrueshme”.

Lajmin e ka bërë të ditur kirurgu i spitalit të Aurorës, Bob Snyders, i cili ka nënvizuar se për disa nga të plagosurit dëmet mund të jenë të përhershëme.

Ndërsa policia lokale ka identifikuar dy viktima të tjera të tragjedisë, mes të cilave, sipas burimeve të shtypit amerikan, është edhe një vajzë 6-vjeçare.

Top Channel