Policia greke ka sekuestruar në Janinë mbi 320 kilogramë hashash dhe ka ndaluar dy shtetas shqiptarë që po merreshin me transportin e saj.

Sipas informacioneve të fundit, droga është kapur në kufirin e gjelbër pranë Shqipërisë, në automjetin e drejtuar nga një prej dy të rinjve shqiptarë.

Autoritetet policore greke kanë bërë të ditur se droga vinte nga një zonë malore nga kufiri shqiptar dhe ishte e ndarë në pako.

Të njëjtat burime shtojnë se një orë pas sekuestrimit të lëndës narkotike, pranë aeroportit të Janinës është arrestuar një bashkëpunëtor i trafikantëve, një shtetas shqiptar të cilit i janë bllokuar 3.100 euro.

Fluksi i drogës, kryesisht asaj të lehtë por jo vetëm, vazhdon të jetë i pranishëm në kufirin shqiptaro-grek dhe arrestimet e konfiskimet e shumta duket se nuk po e frenojnë dot fenomenin.

Dy ditë më parë policia greke shkatërroi një organizatë të trafikut të drogës, ku bënin pjesë elementë të shumtë shqiptarë.

Autoritetet greke të Atikës njoftuan se operacioni u zhvillua në lagjen Nea Zmirni të kryeqytetit helen dhe u konkretizua me arrestimin në flagrancë të një të riu shqiptar dhe shpalljen në kërkim të tre të tjerëve.

Ndërsa më herët gjatë muajit, sërish policia greke sekuestroi 70 kg lëndë narkotike që po transportohej në një automjet të drejtuar nga një shtetas shqiptar.

Bllokimi u bë në Kalpaq të Janinës, rreth 20 kilometra larg kufirit. Mjeti tip “Nissan” ishte nisur nga Shqipëria drejt Greqisë. Shtetasi shqiptar që po e drejtonte u arrestua.

Top Channel