Ndonëse në Serbi deklarojnë se nuk ka asnjë rrezik, Agjencia për Kontrollin e Ushqimeve dhe Ilaçeve, FDA, e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka vënë kompaninë serbe “Hemofarm” në listën e importeve me alarm, ose ndalim importi në këtë shtet.

Kjo agjenci ka kërkuar testime të mëtejshme dhe sqarime pasi në injeksionet e kompanisë janë gjetur baktere Burkholderia Capecia, të cilat mund të shkaktojnë sipas ekspertëve, ndalimin e punës së mushkërive.

Por, sipas kompanisë, ka qenë vet “Hemofarm” që ka vendosur të tërheqë injeksionet për t’u siguruar se gjithçka është në rregull.

Dhe, sipas një njoftimi të kompanisë, pas analizave të mëtejme është parë se prodhimet nuk kanë qenë në ndikim të bakterit dhe siç thuhet, vëzhgimet janë bërë nga ekspertët evropianë dhe amerikanë.

Edhe vetë ministri i Shëndetësisë, Zoran Stankoviç ka thënë se inspektimi ka treguar se nuk ka asnjë bakter në ilaçe.

Por, deri më tani agjencia amerikane duket se nuk ka ndryshuar mendim. Kompania “Hemofarm” është një nga prodhuesit më të mëdhenj të ilaçeve në Ballkan.

Top Channel