Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle deklaroi se
Kosova e ka të njëjtën perspektivë evropiane sikurse dhe vendet e tjera
të Ballkanit Perëndimor.

“Kosova e ka të njëjtën perspektivë evropiane, sikur edhe të tjerët në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, ekzistojnë kërkesa të njëjtja, përfshirë raportet e mira ndërfqinjësore. Në këtë kuadër nuk shoh asnjë arsye përse vetëm Beogradi, e jo edhe Prishtina, të sheh interesa të rëndësishme për raporte të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim të mirë rajonal”, tha Shtefan Fyle, në një intervistë për Radion Europa e Lirë.

Më tutje, zotit Fyle iu shtrua pyetja se çfarë interesi kanë Kosova dhe Serbia nga dialogu.

“Interes kryesor, pasi ato vetëm mund të përfitojnë nga ky dialog. Ky nuk është vetëm për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave nëpër kufi. Ka edhe shumë çështje të tjera”, u shpreh Fyle.

Në bisedimet e mëparshme janë arritur disa marrëveshje, por çështja më problematike ka qenë zbatimi i tyre.

Zoti Fyle e pranon se në këtë aspekt ka pasur vështirësi.

“Ishte arritur shumë, gjatë muajve të fundit, por njëherësh ka pasur edhe elemente që i ngrenë disa shqetësime të caktuara. Ne shumë shpesh kemi pasur vetëm ato marrëveshjet e minutës së fundit, dhe në një mënyrë, nuk ishim në gjendje ta bindim Beogradin se një politike më transparente dhe më e parashikueshme do të ndihmonte”.

Top Channel