Siri, vdes shefi i sigurisë kombëtare

20/07/2012 00:00

Shefi i sigurisë kombëtare në Siri ka vdekur si pasojë e plagëve të marra në sulmin me bombë që ndodhi të mërkurën në Damask.

Lajmin e ka bërë të ditur televizioni shtetëror. Hisham Ikhtiar është zyrtari i katërt i regjimit që vdes si pasojë e sulmit ndaj zyrave të sigurisë kombëtare.

Ndërkohë, luftimet nëpër Siri vazhdojnë, me rebelët që kanë marrë nën kontroll pika të rëndësishme kufitare të vendit.

Nga ana tjetër, një përplasje është vënë re mes të dërguarit të Rusisë në Francë dhe Damaskut, pas sugjerimit se presidenti Bashar al Assad ishte gati të tërhiqej.

Alexander Orlov tha se zoti Assad kishte rënë dakord për t’u tërhequr muajin e kaluar gjatë një konference në Gjenevë, në të cilën u fol për një tranzicion demokratik.

“Assad emëroi përfaqësuesin e tij për të udhëhequr negociatat me opozitën për këtë tranzicion. Kjo do të thotë se ai pranoi të tërhiqej, por në mënyrë të qytetëruar”, tha Orlov.

Komentet e tij shkaktuan një reagim të irrituar në Siri, ku Ministria e Informacionit u shpreh se deklaratat në fjalë ishin tërësisht të pabaza.

Ndërsa Pekini zyrtar, përmes Gazetës së Popullit, akuzoi Perëndimin se dëshiron luftën në Siri, me qëllim rrëzimin e regjimit të Assad, i cili nuk i shkon për shtat.

“Tentativa për të kaluar rezolutën mbi sanksionet, nëse nuk do të ketë një armëpushim nga ushtria, është një mënyrë që Perëndimi të marrë dritën jeshile për ndërhyrje ushtarake”, shkruan gazeta.

Top Channel