SHBA, masakër në premierën e “Batman”

20/07/2012 00:00

Të paktën 12 persona kanë mbetur të vrarë në një incident me armë zjarri të verifikuar gjatë premierës së filmit “Batman”, në qytetin e Denverit, në SHBA.

Policia amerikane ka deklaruar se rreth 50 persona kanë mbetur të plagosur në këtë ngjarje.

Ndërsa dëshmitarë të ndryshëm deklaruan se një person, i veshur me maskë anti-gaz, hapi zjarr dhe hodhi disa objekte që ngjasonin me bomba gazi.

Mësohet se agjentët e policisë kanë ndaluar një person të dyshuar, një 24-vjeçar, i cili është kapur në zotërim të dy armëve dhe u ka thënë agjentëve se kishte sasi të mëdha eksplozivi në apartamentin e tij.

Autori i masakrës në kinemanë në Kolorado është 24 vjecari Xhejms Holmes një amerikan i bardhe. Ai u arrestua në afërsi të një parkingu dhe iu sekuestrua një pushkë, një automatik dhe një thikë.

Shefi i policisë, Dan Oates tha për gazetarët se apartamenti në fjalë, në veri të lagjes periferike Aurora, u evakua si rrjedhojë e këtij informacioni.

“Dëshmitarët na thanë se ai hapi një lloj kutie. Ata dëgjuan disa vërshëllima, panë gazin që doli dhe autori hapi zjarr. Të shtënat zgjatën për disa minuta”, deklaroi Oates.

Zyrtari i lartë i policisë shtoi se dhjetë persona mbetën të vrarë në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë më vonë në spital për shkak të plagëve.

Të plagosurit janë dërguar në një spital të afërt, Qendra Mjekësore Suedeze, drejtuesit e të cilës kanë konfirmuar se shumica e tyre kanë plagë plumbash.

FBI ka njoftuar se po bashkëpunon me policinë lokale, se hetimet janë ende në fazat fillestare dhe se për momentin nuk ka të dhëna për një lidhje të mundshme me terrorizmin. 

Obama: I shokuar dhe i trishtuar, përgjegjësi para drejtësisë

Presidenti amerikan Barack Obama, në një deklaratë për shtyp ka thënë se: “ai dhe zonja e parë Michelle Obama mbetën të shokuar dhe të trishtuar nga ngjarrja e tmerrshme dhe tragjike në Kolorado”.

“Ne jemi të vendosur që këdo që ishte përgjegjës ta nxjerrim para drejtësisë, duke garantuar sigurinë për njerëzit tanë dhe duke u kujdesur për ata që mbetën të plagosur”, ka deklaruar Obama.

“Ashtu sikurse bëjmë kur përballemi me momente të errëta dhe sfida, tani ne duhet të bashkohemi si një familje amerikane e vetme”, ka shtuar presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, një dëshmitar ka thënë për kanalin 9News se gjatë një skene të shtënash të filmit, ai dëgjoi të shtëna të fuqishme dhe pa të dilte tym, duke menduar se ishin efekte speciale “live”.

Ndërsa një tjetër person, i cituar nga CNN ka deklaruar: “Një tip ngjiti me ngadalë shkallët duke hapur zjarr ndaj njerëzve që i dilnin përpara”.

Ndërkohë, një banor i Denverit, i identifikuar me emrin Jenn, ka postuar në edicionin online të BBC këtë mesazh: “Aurora njihet për kuotën e lartë të kriminalitetit dhe të them të drejtën, pavarësisht fatkeqësisë, ajo që ka ndodhur nuk është një surprizë për këtë zonë”. 

Topi ngushëllon Obamën

Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka dërguar një letër ngushëllimi homologut amerikan Barack Obama për ngjarjen tragjike të Kolorados ku humbën jetën 12 persona.

“Me hidhërim të madh mësova mbi vrasjet e kryera në një kinema të shtetit amerikan të Kolorados, ku humbën jetën 12 qytetarë të vendit tuaj, si dhe u plagosën shumë të tjerë. Më lejoni Shkëlqesi, që për këtë ngjarje tragjike që tronditi gjithë popullin mik amerikan dhe mbarë botën, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh Juve dhe familjeve e të afërmve të viktimave, ngushëllimet më të sinqerta! Shpresoj që pasojat e kësaj tragjedie të kalohen sa më shpejt dhe urojmë që fatkeqësi të tilla të mos ndodhin më kurrë!”, thuhet në mesazhin e presidentit Topi.  

Top Channel