Rusi, arrestohen vrasësit e myftiut

20/07/2012 15:30

Policia ruse vendosi nën pranga katër persona, të dyshuar si autorë të vrasjes së një kleriku të lartë musliman dhe për plagosjen e një imami tjetër, në Republikën autonome të Tatarstanit.

Myftiu i krahinës, Ildus Fayzov, mbeti i vrarë kur makina e tij u shpërthye nëpërmjet një bombe të telekomanduar në kryeqytetin e Republikës, në Kazan, ditën e enjte.

Ndihmësi i tij, Valiulla Yakupov, u qëllua për vdekje në një sulm paralel, pothuajse në të njëjtën kohë me atentatin.

Një prej të arrestuarve gjatë së premtes kishte në pronësi një kompani që organizonte udhëtime pelegrinazhi në Mekë. Mes tij dhe myftiut duket se kishte lindur një rivalitet për udhëheqjen e institucioneve muslimane në krahinë.

Sipas të dhënave paraprake, myftiu Fayzov kishte përvetësuar para nga organizimi i këtyre udhëtimeve, duke u armiqësuar me grupet islamike ekstreme.

Islamikët kanë zhvilluar disa fushata të ashpra kundër autoriteteve ruse në Republikat jugore të banuara nga muslimanë, duke shpallur hapur qëllimet e tyre separatiste dhe dëshirën e formimit të një kalifati islamik.

Aktiviteti i tyre është përqendruar kryesisht në Republikat me shumica muslimane të Çeçenisë, Dagestanit, Ingushetisë dhe Kaukazit të Veriut.

Tatarstani ka qenë kryesisht një zonë e qetë dhe shpesh është ilustruar si shembulli i tolerancës dhe bashkëjetesës së qetë midis komuniteteve të ndryshme fetare.

Top Channel