Portugali, shkrumbohet vendlindja e Ronaldos

20/07/2012 16:00

Zjarrëfikësit janë duke luftuar me zjarre që kanë dalë jashtë kontrollit në ishullin portugez të Madeirës, ndërsa me mijëra turistë kanë marrë avionët dhe janë larguar nga destinacioni turistik në mes të Oqeanit Atlantik, nga frika për sigurinë e tyre.

Prej më shumë se dy ditësh, ishulli i njohur edhe si vendlindja e futbollistit Cristiano Ronaldo është përfshirë nga zjarret që kanë djegur me dhjetëra hektarë pyje e qindra shtëpi e punishte, duke shkaktuar një dëm prej dhjetëra milionë eurosh.

Autoritetet janë duke evakuar aktualisht me mijëra banorë nga Porto Santo, një ishull i vogël pranë Madeirës, edhe ai i përfshirë në flakë.

Temperaturat e larta dhe erërat e fuqishme janë duke vështirësuar edhe më shumë punën e zjarrëfikëseve, që po përdorin masivisht edhe ndihmën e mjeteve ajrore për të vendosur nën kontroll vatrën e zjarrit.

Televizionet portugeze shfaqën gjatë ditës shtëllunga tymi nga një zjarr i fuqishëm vetëm disa kilometra larg kryeqendrës së ishullit, qytetit të Funkalit.

Madeira, një ishull me 270 mijë banorë, konsiderohet si një prej qendrave më të rëndësishme turistike në Portugali dhe përveç dëmeve, vetëm anullimi i prenotimeve dhe largimi në masë i turistëve janë në gjendje të përkeqësojnë edhe më shumë situatën.

Top Channel