Plani i shkurtimeve, Peugeot kundër Hollande

20/07/2012 15:50

Drejtori i përgjithshëm i shtëpisë së automobilave, “Peugeot-Citroen”, paralajmëroi se kritikat e Qeverisë Franceze ndaj planit të shkurtimit të stafit po krijojnë një situatë të rrezikshme për kompaninë.

Presidenti Thierry Peugeot, në një intervistë për të përditshmen “Le Figaro”, vlerësoi se kritikat për largimin nga puna të 8 mijë punonjësve janë duke minuar besimin e investitorëve, në një kohë jo të lehtë për ekonominë botërore dhe vetë sektorin e automobilëve.

Më parë gjatë javës, presidenti Francois Hollande denoncoi planin si të papranueshëm, ndërsa kritikoi ashpër strategjinë e korporatës.

Disa ministra në fuqi kritikuan familjen Peugeot, duke vlerësuar se shkurtimet nuk po bëhen për të rritur rendimentin e firmës, por për të mbajtur të paprekur fitimet e tyre në mënyrë abuzive.

”Peugeot-Citroen” është korporata e dytë më e madhe europiane e prodhimit të automobilëve dhe anëtarët e familjes kontrollojnë 25,2% të aksioneve dhe 37,9% të votave.

Në një deklaratë, zoti Peugeot theksoi: “Jemi të gatshëm të pranojmë kritika, por gjithçka ka një kufi. Sulmi qeveritar mbi kompaninë ka një efekt të menjëhershëm në perceptimin e investitorëve dhe kjo është një situatë e rrezikshme. Ne jemi të vetëdijshëm për seriozitetin e planit tonë dhe nuk e kemi të lehtë të shkurtojmë 8 mijë punëtorë. Këto masa janë të dhimbshme dhe e kuptojmë që mund të krijojnë shok në kompani, qeveri dhe në të gjithë Francën, por ju garantoj se masat merren vetëm me qëllim që të bëjnë më të fuqishme themelet e Peugeot”.

Top Channel