
Një gjykatë në Kinë ka hedhur poshtë apelin e bërë nga artisti-disident Ai Weiwei kundër një gjobe të vendosur ndaj tij për evazion fiskal.
Lajmin e kanë bërë të ditur avokatët e tij. Forcat e policisë i ndaluan zotit Ai që të ndiqte proçesin në një gjykatë të Pekinit, ku u dha dhe vendimi.
Autoritetet tatimore i vendosën artistit një gjobë të majme prej 15 milionë jen, ose 2.4 milionë dollarë, për evazion fiskal në vitin 2011.
Mbështetësit e tij thanë se gjoba është e motivuar politikisht dhe se gjykata duhet të pranonte apelin e artistit për të anuluar ndëshkimin financiar.
“Ne do të vazhdojmë të apelojmë, derisa të vijë dita kur të mos kemi më asgjë për të humbur”, njoftoi Ai Weiwei në faqen e tij në rrjetin social Twitter.
Avokati i tij, Pu Zhiqiang, i cili ishte në gjykatë për vendimin, u tha gazetarëve se vendimi ishte tërësisht i paarsyetuar.
Ai Weiwei, një kritik i ashpër i qeverisë kineze, u mbajt nën arrest për tre muaj vitin e kaluar, pa asnjë arsye dhe pa asnjë akuzë. Pasi u lirua, ai u akuzua për evazion fiskal dhe iu vendos gjoba.
Top Channel