
Në prag të ardhjes së trojkës në Athinë, e parashikuar për më 24 korrik, qeveria helene ka ndërmend të heqë të gjitha pengesat që pengojnë përshpejtimin e programit të privatizimeve.
Hapi i parë do të jetë modifikimi i ligjit që cakton kuotën e shtetit dhe privatëve në sipërmarrjet ku është aksioner edhe shteti.
Një tjetër kapitull është mbyllja ose shkrirja e enteve shtetërore që nuk kanë asnjë dobi. Brenda muajit gusht do të eleminohen rreth 200 të tillë, gjithçka pa pushuar nga puna personelin.
Shteti helen është në pritje të këstit të ri të ndihmës nga BE dhe FMN, por këto institucione i bënë të qartë para pak ditësh se, nuk ka ndihmë nëse nuk kryen reformat.
“Greqisë nuk do t’i jepet kësti i radhës në muajin gusht derisa programi i reformave të fillojë të futet në trajektoren e saktë të përcaktuar nga specialistët e trojkës”, deklaruan burime nga Brukseli.
Edhe ministri i ri i Financave, Janis Sturnaras pranoi më herët gjatë muajit se Greqia në këto momente ka devijuar tepër ndaj programit të saj të reformave dhe se nëse nuk i futet urgjentisht rrugës së duhur, nuk mund të kërkojë lehtësime nga kreditorët.
Këmbanës së alarmit për mungesë likuiditeti i kanë rënë edhe kompanitë e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve.
Top Channel