Brazil, kapen vrasësit e indigjenëve

20/07/2012 00:00

Policia në Brazil ka arrestuar 18 persona në lidhje me vrasjen e një lideri indigjen nëntorin e kaluar.

Persona të armatosur qëlluan Nisio Gomes në shtetin Mato Groso do Sul dhe morën trupin e tij, që nuk është gjetur ende.

Policia konfirmoi vrasjen e tij vetëm javën e kaluar, pasi zbuloi se një dëshmitare që thoshte se e kishte parë të gjallë ishte paguar për të dhënë dëshmi të rremë.

Gomes, 59 vjeç, drejtoi një grup banorësh indigjenë që ishte kthyer në ishullin e tij pasi ishte dëbuar nga pronarët e fermave.

Një zëdhënës i policisë federale tha se në pranga kanë rënë 10 persona që i përkasin një kompanie private sigurie, e dyshuar se ishte rekrutuar për të sulmuar kampin e zotit Gomes.

Ndërsa tetë persona të tjerë, saktësoi më tej zëdhënësi, gjashtë prej të cilëve pronarë tokash, janë ndaluar pasi dyshohen si arkitektët e sulmit.

Zyrtari policor tha gjithashtu se nuk ka pasur një depërtim të jashtëm në hetimin mbi zhdukjen e zotit Gomes, hipotezë kjo e hedhur kur dy të dyshuar rrëfyen ngjarjen në këmbim të një dënimi më të lehtë.

Të dyshuarit thanë se punonin për një firmë sigurie private dhe se ishin rekrutuar nga një grup prej tetë personash për të vrarë liderin indigjen.

Top Channel