Përballë grevës së shpallur nga minatorët e Trepçës në Kosovë, manaxheri aktual, Eset Ujkani, u zëvendësua ditën e enjte me Halil Qelën, i cili u ngrit në detyrë nga pozicioni i drejtorit të departamentit miniera dhe zhvillim.

Vendimi i marrë të enjten nga Agjensia Kosovare e Privatizimit kënaqi edhe një prej kushteve kryesoretë Sindikatës së Minatorëve, që vendosi si rrjedhojë të ndërpriste grevëm.

Vendimi erdhi pas një takimi që drejtuesit e AKP-së zhvilluan me punëtorët e Trepçës, të cilët prej dy ditësh ndërprenë punën në shenjë pakënaqësie me emërimin e Eset Ujkanit në krye të ndërmarrjes pas dorëheqjes së Ferat Shalës nga kjo pozitë.

Ndërkaq, Halil Qela konsiderohet një emër i pranueshem për minatorët sepse ishte në mesin e tre emrave të propozuar nga vetë ata.

Gjatë ditës, Eset Ujkani kritikoi hapur personat, të cilët sipas tij kanë dëmtuar emrin e tij. “Konsideroj se përgojimi i emrit tim në grevë bëhet qëllimisht e në mënyrë të organizuar, nga ata që kanë ambicie karrieriste, të cilët çdo herë kanë vendosë interesin personal para atij të ndërmarrjes. Ata nuk e kanë mbështetjen e të gjithë punëtorëve, por është një grup i vogël punëtorësh të manipuluar, duke i dhënë ngjarjes edhe karakter  politik”, tha  Ujkani pak orë para se AKP të shfuqizonte vendimin për emërimin e tij në krye të Trepçës.

Top Channel