Siri, rishfaqet Assad; rezoluta s’kalon në KS

19/07/2012 18:20

Ashtu sic edhe pritej, Rusia dhe Kina përdorën të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit për të bllokuar kalimin e një rezolute që impononte sanksione kundër Sirisë si reagim i ndërkombëtarëve kundër dhunës që ka përfshirë vendin.

Rusia dhe Kina deklaruan se rezoluta ishte e njëanëshme dhe se dënonte vetëm dhunën e forcave qeveritare duke lënë jashtë dhunën e opozitës së armatosur. Për Moskën dhe Pekinin kjo rezolutë nuk ishte e balancuar ndaj dhe kërkuan formulimin e një rezolute që t’u kërkojë dhe detyrojë të gjitha palët të ndalojnë gjakderdhjen në Siri.

Ndërkohë, presidenti sirian, Bashar al-Assad u shfaq në televizion shtetëror pas disa ditësh mungesë. Në krah të tij qendronte Ministri i ri i mbrojtjes, gjenerali Fahd Jassem al-Freij i cili zëvendësoi Dawood Fajiha të vrarë ditën e mërkurë nga një sulm kamikaze i marrë përsipër nga opozita e armatosur dhe grupe xhihadiste në vend.

Video me ministrin e ri të mbrojtjes mbërrin në një moment kur të gjithë po pyesnin mbi vendndodhjen e tij duke qenë se Damasku është përfshirë nga luftime të ashpra mes rebelëve dhe forcave qeveritare.

Në video, Assad përgënjeshtron zërat se ka braktisur kryeqytetin Damask dhe zotohet se do të luftojë dhe asgjesojë të gjitha “bandat terroriste” në territorin sirian.

Ndërkohë, ushtria qeveritare ka ndërmarrë një ofensivë masive në periferitë e kryeqytetit ku po përdor tanke, artilerinë e rëndë dhe helikopterë nga ajri kundër rebelëve që kanë marrë nën kontroll disa pozicione strategjike në periferitë e kryeqytetit.

Top Channel