SHBA, vdes kryespiuni i Mubarakut

19/07/2012 00:00

Omar Suleiman, që për vite të tëra drejtoi shërbimin sekret egjiptian
gjatë regjimit të ish-presidentit Hosni Mubarak, ka vdekur në Shtetet e
Bashkuara.

Ai vdiq në një spital në orët e para të ditës së enjte, ka bërë të ditur agjencia e lajmeve “Mena”.

Gjenerali Suleiman, që ishte mbi të shtatëdhjetave, ishte caktuar si zv.president nga Mubarak në ditët e fundit të regjimit të tij. Ai bëri përpjekje për të garuar për president në zgjedhjet e këtij viti, por u skualifikua për arsye teknike.

Një asistent i gjeneralit Suleiman tha se vdekja e tij ishte e papritur. “Ai ishte mirë. Vdekja erdhi papritur kur ai po bënte disa kontrolle mjekësore në Klivlend”, tha Hussein Kamal.

Duke folur për agjencinë e lajmeve “Reuters”, Kamal shtoi se kanë nisur ndërkohë përgatitjet për kthimin e ish-oficerit të lartë në Egjipt për varrimin.

Ndërsa Reem Mamdouh, një anëtar i fushatës presidenciale të Suleiman, tha për agjencinë e lajmeve “AFP” se gjendja shëndetësore e gjeneralit kishte ardhur duke u përkeqësuar.

“Shëndeti i tij kishte rënë kohët e fundit. Ai ishte në Shtetet e Bashkuara me familjen e tij”, ka thënë bashkëpunëtori i afërt.

Gjenerali Suleiman drejtoi Shërbimin e Përgjithshëm Egjiptian të Inteligjencës për 18 vjet dhe u bë zv.presidenti i parë pas 30 vjetësh, më 29 janar 2011, 4 ditë pasi protestat anti-regjim kishin filluar.

Top Channel