Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç ka deklaruar se është i gatshëm të bisedojë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Në një intervistë për “Veçernje Novosti”, Nikoliç ka theksuar se, Kosova nuk është problem i një njeriu të vetëm dhe për këtë arsye kërkon konsensus.

“Me kënaqësi do ta merrja përsipër përgjegjësinë historike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Pas hartimit të një platforme të përbashkët mund të shkojmë në bisedime”, ka thënë Nikoliç.

Ai ka nënvizuar se, pasi të formojë qeverinë do të mbledhë eksponentët kryesorë të politikës serbe për të hartuar një platformë bisedimesh me Kosovën.

Presidenti serb ka shprehur gjithashtu synimin e tij që në këtë dialog të mos jetë i përfshirë vetëm Brukseli, por edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Më tej gjatë intervistës, Nikoliç ka thënë se opinionit publik në Serbi i janë fshehur një sërë marrëveshjesh të arritura me Kosovën në Bruksel, të cilat sipas tij e çojnë Kosovën drejt pavarësisë.

“Është fshehur për shembull fakti se në tavolinë para shqiptarëve mund të qëndrojë vetëm tabela me Kosovën me asteriks, por pa fusnotë”, ka thënë Nikolliç.

“Pastaj, se serbët në veri të Kosovës nuk duhet të marrin tabela të regjistrimit, por kusht për këtë është që të nënshkruhen si shtetas të Kosovës”, ka vijuar presidenti.

Top Channel