Lëvizja Vetëvendosje përkrah kërkesat e minatorëve për tërheqjen e vendimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit sa i përket emërimit të Eset Ujkanit në krye të Trepçës.

Në një komunikatë për media, Vetëvendsoje thotë se emërimi i Ujkanit në këtë pozitë e vazhdon kolonizimin nga SHIK-u të ndërmarrjeve publike e shoqërore të Kosovës.

“Emërimi i Eset Ujkanit si ushtrues detyre i menaxherit të Trepçës duhet të kundërshtohet. Ky njeri nuk e ka as kredibilitetin më të vogël moral e profesional për të shërbyer në atë pozitë. E vetmja cilësi që ai ka është afërsia kriminale me partinë në pushtet dhe shërbimin e saj SHIK”, thuhet në komunikatë.

“Madje, Eset Ujkani më 18 maj 2007, si pjesë e një grupi prej 7 personash të PDK-së, ka drejtuar rrahjen e aktivistëve të Vetëvendosjes në një tubim publik në prani edhe të Hashim Thaçit”, vijon njoftimi për shtyp.

Duke ia hedhur fajin për të gjitha ekzekutivit, Vetëvendosje nënvizon se greva e minatorëve tregon më së miri se ku e ka katandisur Kosovën kjo qeveri.

Ndërkaq, ajo u ka bërë thirrje atyre që të mos bien pre e lajkave të qeverisë, si dhe të mos lejojnë që protesta e tyre parimore t’i shërbejë interesave kriminale të zyrtarëve qeveritarë dhe njerëzve të afërt me ta.

Sipas Vetëvendosjes, fati i Kosoves është i lidhur me fatin e Trepçës, ndaj dhe privatizimi, përkatësisht AKP-ja, e shkatërrojnë Trepçën, duke e shndërruar në një ndërmarrje nxjerrëse të pasurive të Kosovës, pa kurrfarë rritje të kapaciteteve përpunuese dhe shtuese të vlerës.

“Kjo rezulton në përfitime marramendëse financiare për kapitalin privat, me shumë pak përfitime për Kosovën si shtet dhe popullin e Kosovës”, përfundon reagimi i Vetëvendosjes lidhur me ngjarjet e fundit.

Top Channel