Komisioni Europian lëshoi kritika të ashpra ndaj Rumanisë, për efektshmërinë e ulët në luftën kundër korrupsionit, i vlerësuar se arrin deri në nivelet më të larta qeveritare.

“Presioni i Qeverisë Rumune ndaj sistemit gjyqësor është duke vendosur në rrezik të gjithë kuadrin e reformave që ka realizuar dhe duhet të realizojë vendi”, lexohej në dokumentin kritik të KE-së.

Gjithashtu, Bukureshti zyrtar dënohej me tone të ashpra edhe për luftën politike midis dy burrave më të rëndësishëm të shtetit, kryeministri Victor Ponta dhe presidenti Traian Besescu.

Në vazhdim, vlerësohej se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë një plagë edhe për Bullgarinë, vendin tjetër ballkanas të anëtarësuar në vitin 2007.

Në komentin mbi Sofjen zyrtare, KE veçonte “domosdoshmërinë e inkurajimit të integritetit gjyqësor, nëpërmjet emërimeve transparente dhe mbi bazën e profesionalitetit. Është veçanërisht e rëndësishme për Bullgarinë që të vazhdojë luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe ndaj krimit të organizuar, veçanërisht problematik në vend”.

Raportet e ardhshme të detajuara për të dy shtetet do të publikohen në fund të 2012-s.

Top Channel