Gjermani, 50% rritje në asistencën për azilkërkuesit

18/07/2012 19:50

Qeveria Gjermane u urdhërua nga Gjykata e Lartë e vendit që të rrisë me 50% asistencën për azilkërkuesit.

Për dy dekada, pagesa ka qenë më e ulët se ajo e paguar për qytetarët gjermanë dhe Gjykata Kushtetuese vendosi se benefitet aktuale, prej 224 eurosh në muaj ose 7,5 eurosh në ditë, nuk ishin më të mjaftueshme.

Sipas gjykatës, një asistencë e tillë shkelte kushtetutën, e cila thotë shprehimisht se “çdo rezident në Gjermani duhet të ketë të sigurta nevojat thelbësore për jetën”.

Në bazë të këtij vendimi, mbi 130 mijë persona në pritje të miratimit apo refuzimit të statusit të azilkërkuesit do të paguhen me 336 euro në muaj, që përsëri mbetet lehtësisht një shperblim më i ulët se asistenca minimale për një shtetas gjerman, prej 374 eurosh.

Gjykata urdhëroi që rritja e asistencës të realizohet menjëherë, ndonëse legjislacioni duhet ende të shqyrtohet nga Parlamenti.

Top Channel