Damask, vriten katër zyrtarë

18/07/2012 20:20

Kater zyrtarë të lartë sirianë u vranë pas një sulmi kamikaz në zemër të Damaskut; Ministri i Mbrojtjes, Daud Raxhiha, zv/ ministri dhe kunati i Presidentit Bashar Al-Assad, Asef Shaukat si dhe Ministri i Brendshëm, Mohamed Ibrahim Al-Shaar dhe kreu i zyrës së menaxhimit të krizës, Hasan Turkomani.

Ata ndodheshin në selinë e Sigurisë Kombëtare. Ndërtesa ku ndodhi sulmi ndodhet në sheshin “Rauda”, në afërsi të shtëpisë së Al-Assadit dhe Ambasadës Amerikane. Ministri Sirian i Informacioni tha më herët se përgjegjësia për sulmet bie mbi qeveritë arabe dhe perëndimore.

Sulmi u mor përsipër Ushtria e Lirë Siriane dhe grupi xhihadist “Zoti i Brigadës së Martirëve”. Përmes një deklaratë të lexuar në Televizionin Shtetëror Sirian, ushtria u shpreh më e vendosur se kurrë për të luftuar terrorizmin dhe për të spastruar bandat kriminale.

“Cilido që mendon se vrasja e gjeneralëve të lartë mund t’i presë krahet Sirisë, bën një gabim të madh”. Forcat e sigurisë, siç raporton BBC, thonë se kamikazi dyshohet të jetë një prej truprojave të rrethit të ngushtë të presidentit Assad.

Zv/kreu i Ushtrisë së Lirë Siriane, koloneli Malek Al-Kurdi tha për “CNN” se ishte përdorur një telekomandë për të shpërthyer eksplozivin e vendosur në sallën e takimit. Pamjet nga Damasku tregojnë sirianët që festojnë pas lajmit.

Gjenerali Raxhiha, një i krishterë ortodoks, mbante prej më pak se një viti postin e Ministrit të Mbrojtjes. Ai, më parë kishte kryer detyrën e shefit të shtabit. Ishte i përfshire në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara për rolin në shtypjen e kryengritjes.  

Gjenerali Shaukat, një prej shefave të lartë të sigurisë. Ai ishte martuar me vajzen e Hafez Al-Assad, Bushra. Gjenerali Turkomani, ish-ministër i Mbrojtjes dhe keshilltari i zv/presidentit. Ai ishte ngarkuar me drejtimin e zyrës së menaxhimit të krizës. Në krye të Ministrisë se Mbrojtjes u caktua brenda disa orësh gjenerali Fahëd Xhasin Al-Freixh.

“Ne konfirmojmë se këto bombardime terroriste nuk do t’i ndalojnë forcat tona të armatosura të kryejnë detyrën për të gjetur keqberesit dhe për t’i prerë dorën kujtdo që kërcënon sigurine e ketij vendi dhe civilevë të tij”, tha Al-Freixh, ministri i ri i Mbrojtjes.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe, Kofi Annan kërkoi shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të mërkuren, ku do të paraqitej rezoluta me sanksione më të ashpra për Sirinë.

Siç raporton “BBC”, votimi është shtyrë për nesër. Në Shtetet e Bashkuara, Shtëpia e Bardhë tha se “tashmë është e qartë se Presidenti Assad po humb kontrollin e Sirisë dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet të punojë me urgjence drejt një tranzicioni politik”.

Ministria e Jashtme Ruse e dënoi sulmin në Damask duke e quajtur “një krim të felliqur, që synon të sjellë destabilizim afatgjatë në Siri”.
Kriza siriane duket se ka hyre në një fazë të re nëse i referohemi vrasjes së njerëzve të afërt të presidentit Bashar Al-Assad. Sipas analistëve, kjo nuk do të thotë domosdoshmerisht se fundi i regjimit është i afert.

Ky është vetëm fillimi i betejes për Damaskun. Nëse mbetet vetëm një çështje ushtarake, regjimi është superior në armë dhe trupa. Diplomacia ndërkombëtare ka mbetur e paralizuar për t’i dhënë një zgjidhje krizës. Presionin sa vjen e shtohet dhe ndoshta mund të priten zhvillime të befta e të paparashikuara.

Mblidhet Këshilli i Sigurimit

Këshilli i Sigurimit do të mblidhet të enjten në orën 16:00 (me orën tonë) për të diskutuar mbi situatën e fundit në Siri.

Ambasadori francez në OKB, vendi i të cilit është edhe njëri nga anëtaret e përherëshme të Këshillit, deklaroi se do të synohet miratimi i një rezolute që të detyrojë palët në Siri që t’i japin fund dhunës.

Megjithatë, ambasadori Gerard Araud u shpreh skeptik mbi mundësinë e një kompromisi për të dalë me një rezolutë të përbashkët, pasi sic tha ai për mediat, Rusia nuk është e përkushtuar seriozisht për një gjë të tillë.

Këshilli pritet të debatojë mbi situatën më të fundit që ka përfshirë Sirinë, ku luftimet nga zonat periferike të vendit janë zhvendosur në Damask, ku ditën e mërkurë u vranë 3 zyrtarë të lartë, përfshirë këtu edhe Ministrin e Brendshëm, Dawood Rajiha.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklarojnë se tashmë Assad-it i ka dalë situata nga kontrolli dhe vendi ndodhet në tranzicion. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit deklaroi se perëndimi dhe gjithë ndërkombëtarët tashmë bëjnë mirë të kenë një plan përgatitor për tranzicion, për të shmangur gjakderdhjen në Sirinë pa Assad-in.

Top Channel