Bullgari, shpërthim në autobuzin me hebrenj

18/07/2012 18:30

Një shpërthim në një autobuz me turistë hebrenj në Bullgari shkaktoi vdekjen e shtatë personave dhe plagosjen e më shumë se 20 të tjerëve, lajmëruan autoritetet bullgare pasditën e së mërkurës.

Ngjarja ndodhi pranë aeroportit të qytetit të Burgasit, pranë brigjeve të Detit të Zi. Nga të dhënat paraprake, ekzistojnë dyshime të forta se ngjarja mund të jetë në të vërtetë një sulm terrorist.

Një dëshmitar deklaroi për një televizion izraelit se shpërthimi ndodhi menjëherë pas ngjitjes së vrullshme të një pasagjeri në autobuz, çka rrit dyshimet mbi mundësinë e një sulmi vetvrasës me bombë.

Agjencia “Reuters” lajmëroi se aeroporti i Burgasit u mbyll menjëherë pas incidentit për arsye sigurie dhe të gjitha fluturimet u devijuan për në Varna.

Në janar, për shkak të disa dokumentave të rënë në dorë të Shërbimeve Sekrete Izraelite, “Mossad”, Tel Avivi zyrtar i kërkoi Bullgarisë që të rriste nivelin e sigurisë, gjatë shoqërimit të turistëve hebrenj në vend.

Top Channel