Turqi, ferr në kullën prej kristali

17/07/2012 00:00

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një ndërtesë 42-katëshe në qendër të
qytetit të Stambollit, në Turqi. Pamjet televizive tregonin Kullën Polat
të përfshirë nga tymi, me copa të saj që binin në tokë.

Zjarrfikësit, të mbështetur nga helikopterët, arritën me vështirësi të vënë nën kontroll zjarrin, shkaku i të cilit do të hetohet.

Autoritetet deklaruan se asnjë nga personat që ndodheshin në ndërtesë, që përmban apartamente, dyqane dhe zyra, nuk ka mbetur i plaogsur. Sipas tyre, qindra persona u evakuan në kohë.

Agjencia turke e lajmeve “Anatolia” më herët raportoi se shumë njerëz kishin mbetur të bllokuar brenda në kullë. Guvernatori i Stambollit, Huseyin Avni Mutlu u citua të thoshte se një defekt në sistemin e ajrit të kondicionuar mund të kishte shkaktuar zjarrin.

 

Ndërsa Mustafa Sarigul, prefekt i lagjes, tha për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se zjarri nuk kishte depërtuar brenda Kullës Polat.

“Sistemi anti-zjarr i ndërtesës u aktivizua automatikisht, ndryshe do të kishim parë një katastrofë të madhe”, tha zyrtari lokal, duke shtuar se rrugët rreth ndërtesës do të mbeten të mbyllura për arsye sigurie.

Top Channel