Të alarmuar nga zhvillimet e fundit lidhur me privatizimin e rrjetit të
shpërndarjes së KEK-ut Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një letre të hapur
shpreh shqetësimin për procesin e privatizimit.

Sipas VV-se distribucioni i energjisë elektrike, ku përfshihet rrjeti por edhe tregu i saj, janë pasuri publike e Kosovës. KEK-u është një ndërmarrje publike e ndërtuar dhe e mirëmbajtur nga populli i Kosovës përgjatë 50 viteve të fundit. Rrjeti i distribucionit është një monopol natyror që nuk e lejon konkurrencën, si i tillë nuk mund të vendoset në duart e interesave private.

Sipas VV-se ndërmarrje duhet të mbetet publike sepse furnizimi me energji elektrike është kusht themelor për mirëqenien e qytetarit dhe të shoqërisë. Sipas VV-së procesi i deritashëm i privatizimit të Kompanisë për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike është një proces krejtësisht jo legjitim dhe jo demokratike, i cili udhëhiqet nga një qeveri jo legjitime dhe të zgjedhur në një mënyrë jo demokratike.

VV bëjnë me dije se ky privatizim nuk përkrahet nga shumica e aktorëve të prekur nga ky proces. Me tej Lëvizja Vetëvendosje thotë se, forcë politike do ta hetojë këtë proces, si nga ana proceduriale, ashtu edhe nga ana politike – me të ardhur në pushtet. “Prandaj, me këtë letër ju bëjmë thirrje të tërhiqeni nga ky proces. Nëse ju nuk tërhiqeni nga ky proces, dhe vendosni të vazhdoni më tej me shfrytëzimin e punëtorëve, me shpronësimin e dhunshëm të popullit dhe me cenimin e të drejtës sonë për zhvillim, ne nuk kemi për t’ju kursyer në përpjekjen tonë për shtet të së drejtës”, thuhet në komunikatë.

Top Channel