Rusia: Perëndimi shantazhon për Sirinë

16/07/2012 15:10

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, u shpreh se perëndimi është duke shantazhuar Moskën, në mënyrë që kjo e fundit të pranojë sanksione të ashpra ndaj regjimit në Siri.

Në një deklaratë gjatë së hënës, Lavrov tha se “propozimet dhe qëndrimi i perëndimit përmbajnë elemente të shantazhit”.

Ai shtoi se vendet perëndimore kanë kërcënuar me përfundimin e misionit të vëzhgimit të OKB-së në Siri, nëse Moska do të vendosë veton kundër një pakete të re sanksionesh që është propozuar.

Deklarata e Lavrov vjen në prag të një vizite të Kofi Annan në Moskë, ku pritet që ndërmjetësi i OKB-së për vendin arab të rrisë presionin ndaj Rusisë, në mënyrë që të pranohet një tranzicion i pushtetit, drejt një qeverie koalicioni ku nuk do të jetë i përfshirë Bashar al-Assad.

Rusia ka interesa të forta në Siri dhe deri më sot, ka hedhur poshtë kategorikisht të gjitha idetë për një ndërhyrje të jashtme që do të sillte rrëzimin e regjimit.

Ndërkohë, në Siri, luftimet e ashpra kanë zbritur në kryeqytetin Damask.

Njëkohësisht me deklaratat e Lavrov, Maroku shpalli “non grata” ambasadorin sirian në vend, duke iu bashkuar bllokut të shteteve që kanë ndërprerë marrëdhëniet që më parë me Sirinë.

Në luftën civile që ka përfshirë vendin që prej marsit 2011, më shumë se 16 mijë persona kanë humbur jetën, në bazë të vlerësimeve më optimiste të OKB-së.

Top Channel